Kurti propozoi ministrat por jo edhe mandatarin për kryeministër
Albin Kurti i ka propozuar emrat për Ministra nga radhët e Vetëvendosjes por ende s’ka pranuar ta çojë emrin e mandatarit për Shef të Qeverisë. Presidenti po vazhdon të kërkojë emrin e Kryeministrit për ta nxjerrë dekretin për mandatim. Kosova ka hyrë në muajin e shtatë pa Qeveri.
Albin Kurti dhe Isa Mustafa s’kanë caktuar asnjë takim për vikend. As në ndonjë hotel dhe as në zyrat e Parlamentit. Po vazhdojnë të mbajnë të bllokuar arritjen e një marrëveshje për formimin e Qeverisë së re.
Pas zgjedhjeve, dy liderët e partive kishin nisur takimet në një hotel në qendër të Prishtinës për t’u zhvendosur në objektet e Parlamentit.
Në takimin e tretë këtë vit, VV e LDK dështuan të ndajnë pozitat në Qeveri, Parlament e Presidencë.
LDK po kërkon të kthehet te oferta fillestare, duke kërkuar pesë ministri, Kryeparlamentarin dh zotimin për President. VV ka shprehur gatishmëri t’i japë LDK’së një ministri më shumë por jo edhe pozitën e Shefit të Parlamentit.
Për dallime prej herëve tjera, së fundmi, Albin Kurti s’bëri asnjë video dhe as prononcim se çka ndodhi me negociatat me LDK’në.
Ndërkohë, të shtunën bashkë me Sami Kurteshin e Hydajet Hysenin ka vizituar Gjilanin dhe varrezat e dëshmorëve.
Kanë kaluar 3 muaj e tre ditë prej kur janë mbajtur zgjedhjet ku është ditur fituesi. Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje para gjashtë muajsh. Më shumë se dy javë kanë kaluar prej se është konstituuar Parlaemnti. Albin Kurti ka nominuar ministrat e VV’së për Qeverinë e re por ka refuzuar të marrë mandatin nga Hashim Thaçi për të ndërtuar Qeverinë e re brenda 15 ditësh.
Megjithëse, vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore, Albin Kurti dhe zyrtarët e LDK’së kishin thënë se “koalicioni i shpresës” do të ndërtohej brenda pak orësh pasi të përfundonte procesi zgjedhor.
Albin Kurti doli fitues në zgjedhjet e fundit nacionale duke i fituar 29 deputetë. Një më shumë se Lidhja Demokratike Kosovës, e cila s’ka arritur të fitojë prej vitit 2004.
Kurti ka pasur raporte të këqija me LDK’në dhe ka pasur akuza të rënda për Isa Mustafën sa ishte Shef i Prishtinës, duke i dërguar edhe dhjetëra dosje penale në Prokurori.
Raportet ishin përkeqësuar ndërmjet LDK’së e VV’së kur në krye të Qeverisë erdhi Isa Mustafa, ndaj të cilit kishin organizuar protesta e sulme edhe para shtëpisë së tij në Prishtinë e Prapashticë. Liderin e LDK ‘së e kishin akuzuar për argat të Serbisë.
Në dy vitet e fundit, VV e LDK kishin ndërtuar bashkëpunim opozitar. Por, kishin dështuar të bënin koalicion parazgjedhor, pasi secila parti synonte të dilte e para.
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, VV e LDK kishin premtuar se do të ndërtonin koalicionin e shpresës për t’i zbatuar premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale për përmirësimin e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë e sundimin e ligjit.