Kurti priti përfaqësuesit e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, takoi sot Janez Kopač, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, zv. drejtorin e saj, Dirk Buschle, të shoqëruar nga Arben Kllokoqi, ekspert i tregut të energjisë.
Siç njofton Zyra e kryeministrit, pasi miqtë e uruan kryeministrin Kurti për drejtimin e qeverisë, ata thanë se i kanë ndjekur nga afër reformat e tregut të energjisë në Kosovë. Në këtë drejtim ata shprehën gatishmërinë e bashkëpunimit dhe adresimit të çështjes së energjisë: mbështetjen për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme si dhe për integrimin rajonal.
Nga ana e tij, kryeministri Kurti falënderoi për urimin, e më pas i njoftoi se qeveria e re është e interesuar për përdorim efikas të energjisë. Ai tha se qëllimi është rritja e kapaciteteve gjeneruese jo në shpenzimet në amvisëri, por në zhvillim të industrisë.
“Qeveria e re është e interesuar të funksionalizojë interkonjeksionin me Republikën e Shqipërisë. Strategjia energjetike duhet të jetë në përputhje me strategjinë e zhvillimit ekonomik dhe me domosdoshmëritë e mbrojtjes së mjedisit. Agjenda e gjelbër për Kosovën duhet të nisë me mundësitë që zotërojmë dhe menjëherë”, thuhet në njoftim.