Kurti: Po shpurdh regjimi i vjetër dhe Presidenti helaq
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas akuzave e kritikave të shumta që mori mbrëmë nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, si dhe liderët e partive opozitare.
Ai tha se regjimi i vjetër po shpurdh nëpër studiot televizive.
“Ata refuzojnë ta kuptojnë se koha e tyre ka mbaruar. Po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Sa herë që ne ua godasim korrupsionin, ata piskasin “Amelika, Amelika! Gleneli, Gleneli!””, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, ata nga regjimi i vjetër po duan ta dëmtojnë imazhin e ShBA-ve në Kosovë, ta keqpërdorin atë si strehë për ultësinë e tyre.
“Një popull nuk iu nënshtrua një njeriu. Dhe, e bëri ndryshimin me 6 tetor. As qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij Presidenti helaq”, tha ai.
Lideri i Vetëvendosjes tha se ditët në vijim përcaktojnë dekadën e tretë të shekullit XXI, ndërsa ka pyetur qytetarët “Në cilën anë je ti?”.