Kurti: Nuk frikësohem nga kërcënimet, ata që e kanë bërë këtë…
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është kërcënuar nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”.
Kurti ka thënë se ky kërcënim nuk ka qenë i adresuar vetëm ndaj tij.
“Nuk frikësohem, jam në punë dhe në detyrë përditë. Ata që më kanë kërcënuar s’mund ta kenë pasë me mua por me dikë tjetër. Për gjendjen e sigurisë, nuk është që unë mund ta vlerësoj atë, janë organet kompetente dhe është siguria dhe mbrojtja e kryeministrit që e bën një gjë të tillë”, ka thënë ai.
E sot kryeministri Kurti theksoi nga Mitrovica se kërcënimi ishte për Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tij, janë në prag të vendimit për dekretin e presidentit, Hashim Thaçi.
“Por ata që më kanë kërcënuar mua, nuk mund ta kenë pasur me mua, sepse e dinë që tek unë nuk funksionojnë kërcënimet. Ata e kanë pasur me dikë tjetër; me Gjykatën Kushtetuese sepse duket që është në panik presidenti të cilit po i humbet rasti… Dekretet e presidentit nuk mund të shndërrohen në shkrim të Kushtetutës. Nëse Kushtetuta ngelet e heshtur për çështje të caktuara, nuk mund të flasë presidenti për këtë gjë”, është shprehur Kurti.
Policia e Kosovës ka thënë të mërkurën se është duke trajtuar pretendimet për kërcënime ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në këtë institucion ka thënë se është në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve dhe se të gjitha veprimet janë duke marrë në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale.
“Garda Vullnetare Shqiptare” quhet organizata fantazmë dhe e padëgjuar ndonjëherë deri më tani në Kosovë, e të cilën dje e zbuloi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ku tha se është kërcënuar prej saj.
Kjo organizatë apo grup i njerëzve, kryeministri në detyrë Kurti po thotë se kanë kërcënuar dhe me interpretimet e tij e ka quajtur kërcënimin e paralajmërimin e këtij grupi “kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese”.
Kurti me këtë rast i është referuar rastit të dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë gjykatë, për të interpretuar kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretim të Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për formim të qeverisë së re.
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Thaçit deri më 29 maj derisa të marrë vendim për ligjshmërinë e këtij vendimi.
Vendimi i Thaçit ka ardhur pas rrëzimit të qeverisë, tashmë në detyrë të udhëhequr nga Kurti, përmes një mocioni të organizuar nga LDK-ja.
Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.