Kurti nuk do ta shkarkojë Rakiqin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk e ka në plan ta shkarkojë ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, që doli kundër vendimit të Qeverisë që të luftojë kontrabandën në të gjithë vendin.
Të mërkurën, Rakiq e cilësoi aksionin që përfshiu edhe veriun e Kosovës si “Natë të Kristaltë” (pogromi i gjermanëve nazistë kundër çifutëve). Pas kësaj dhe deklaratave tjera kundër shtetit të Kosovës, shoqëria civile e kërkoi shkarkimin e Rakiqit.
Megjithatë, në një aktivitet të Vetëvendosjes në Prizren, Kurti ka lënë të kuptohet se kjo s’do të ndodhë.
“Qeveria jonë me veprimet tona e ka godit nervin e çështjes e ky është luftimi i krimit të organizuar korrupsionit e kontrabandës. Përveç se po kemi sukses me hetimet tona intensive në të njëjtën kohë po ndodh një demaskim gjigant i Serbisë sa i përket përpjekjes së saj destruktive me strukturat saj ilegale në Kosovë. Qartazi ne jemi në rrugën e drejtë dhe pikërisht për shkak se ne jemi në rrugën e drejtë Serbia e Vuçiqi nuk po arrin t’i mobilizojë serbët kundër veprimeve të drejta e të ligjshme të qeverisë tonë. Ne kemi goditur nervin e çështjes. Çështja nuk është Rakiqi. Shkarkimi i tij do ta bënte çështje”.
Kur u vendosën bllokadat në veri për shkak të vënies së reciprocitetit me targa nga Qeveria e Kosovës, kryeministri Albin Kurti thoshte se Rakiq nuk ka rol destabilizues, përkundrazi.
Ndërsa dje, pas aksionit të Policisë edhe në Veri, u raportua se nisja e vendosjes së barrikadave në atë zonë po bëhej prej një kompanie, kur Rakiq ishte pronar.
Ministri kosovar tha se ka mbetur vec ajri që s’po iu merret serbëve të Kosovës dhe e ka krahasuar me “Natën e Kristaltë” situatën, ku Policia e Kosovës kreu bastisje kundër kontrabandës në disa zona të vendit.
“Nuk mund të durojmë më, ka mbetur vetëm ajrin të na e marrin, kjo ka qenë si Nata e Kristalit për ne, ky takim me Vuçiqin është më i rëndësishmi, është derdhur gjak serb mbi xhamat e thyer”, ka deklaruar Rakiq.
Kjo deklaratë shtyri ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, të reagojë.
“Ndaloni! Krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me “natën e kristaltë” është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt rrëfimeve të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit”, ka shkruar ambasadori gjerman.
“Nata e Kristaltë” e quajtur edhe Nata e Xhamit të Thyer e 9 dhe 10 nëntorit të vitit 1938, ishte nata kur nazistët gjermanë sulmuan hebrenjtë dhe pronat e tyre.