Kurti: Nevojitet mobilizim që raste të tilla si ai i 35-vjeçares të mos përsëriten më
Kryeministri Albin Kurti ka folur për rastin e vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë, e cila dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj.
Gjatë prezantimit të buxhetit 2023 në Komunën e Gjakovës, Kurti tha se ky rast është i papranueshëm dhe duhet të dënohet nga të gjithë.
Kryeministri tha se duhet mobilizuar të gjitha institucionet në mënyrë që mos të ketë përsëritje të rasteve të tilla.
“Ne duhet të vazhdojmë në njërën anë, fushatën institucionale kundër dhunës në familje dhe kundër vrasjes së grave që është shndërruar tash në një lajm të shpeshtë, e që është e papranueshme për ne dhe që duhet të dënohet nga të gjithë. Në anën tjetër, mekanizmat dhe organet shtetërore duhet të veprojnë për të gjitha këto raste e situata, do të thosha, në mënyrë që mos të ketë asnjëherë përsëritje të këtilla mizore e kaq të rënda për gratë, për shoqërinë tonë e në veçanti për ato familje. Andaj, prokurori, gjyqësori, policia, Ministria e Drejtësisë që të gjithë duhet të mobilizohen”, theksoi Kurti.
Kujtojmë se më 30 nëntor, Hamide Magashi u vra në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, ku kishte shkuar për të sjellë në jetë fëmijën e saj. I dyshuari kryesor ishte ish-bashkëshorti i saj, i cili pas veprës kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
Ai u vu në kërkim policor, dhe më në fund, më 2 dhjetor, u gjend në shtëpinë e prindërve të tij në Shtime. Gjatë negocimit me policinë e Kosovës, që e kishin rrethuar shtëpinë e tij, ai nuk pranoi të dorëzohej dhe tentoi vetëvrasjen.
Urgjenca e qytetit e nisi trupin e tij me shpejtësi për në Emergjencën në QKUK, por i njëjti vdiq gjatë rrugës.