Kurti në Washington takon amerikanen që bënte fushatë për lirimin e tij nga burgu i Serbisë
Kryeministri Albin Kurti në SHBA ka takuar Alice James, themeluesja e Kosova Action Network (KAN), për të cilën tha se i kishte mbështetur protestat e studentëve kosovarë.
Kurti në Instagram ka shkruar se ajo ishte një zë i fuqishëm edhe për të kur ai ishte i burgosur politik në Serbi dhe shokët e tij.
“25 vjet më vonë: Alice James, themeluesja e Kosova Action Network (KAN) që mbështeste protestat tona studentore. Shumë të reja e të rinj nga Kosova i ka ndihmuar Alice për t’u shkolluar në ShBA. E kur ne ishim të burgosur politikë e robër lufte në Serbi, ajo bënte fushatë ndërkombëtare për lirimin tonë”.
Nikoqir i takimit ishte ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Ilir Dugolli, për të cilin Kurti tregoi se kishte qenë bashkë me të në protesta.
“Në ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington D.C., na mirëpriti ambasadori ynë Ilir Dugolli, i cili me 1 tetor 1997 ndodhej në rreshtin e dytë afër meje dhe mbante parullën me stemën e Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Kurti.