Kurti në takim me Barbanon: Incidentet ndëretnike janë gjithnjë në rënie
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Nga Zyra e Kryeministrit është thënë se është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit në fushat e forenzikës përmes Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Po ashtu është diskutuar edhe për çështjen e dezinformimit të lajmeve, që është vlerësuar shqetësuese. E gjatë diskutimeve u bisedua edhe për çështjen e komuniteteve.
“Më tej, u nënvizua se incidentet ndëretnike janë gjithnjë e në rënie të dukshme, në veçanti gjatë këtij mandati qeverisës. Të dy palët mbeten të përkushtuara në gjithëpërfshirjen e të gjitha komuniteteve dhe harmonisë sa më të gjerë ndëretnike. Kryeministri Kurti e falënderoi shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, për takimin duke shprehur rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.