Kurti: LDK ta shqyrtojë propozimin më të ri të VV-së
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka treguar degëve të partisë së tij se të enjten i ka dhënë një propozim të ri Lidhjes Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje. Ka thënë se tash po e pret shqyrtimin e këtij propozimi në organet e partisë së Isa Mustafës.
Duke mos treguar se çfarë është përmbajtja e këtij propozimi, Kurti ka thënë se gjithçka e bërë deri tash në kuadër të lëvizjeve politike nuk mund të kthehet prapa, përfshirë këtu edhe seancën konstituive të Kuvendit, ku Glauk Konjufca i VV-së u votua për kryeparlamentar.
Ky ishte fjalimi i tij i plotë:
Të nderuar kryetarë dhe përfaqësues të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë dhe jashtë saj
Po e nis duke adresuar menjëherë elefantin në dhomë. Ka shumë çështje të ndryshme politike në aktualitetin tonë, por ato janë veçse orenditë e vjetra të dhomës.
Pyetjen kryesore që keni në mendje, atë se kur do të krijohet qeveria e re, nuk ka fytyrë që nuk e thotë dhe nuk ka qëndrim që arrin ta fshehë.
Shpresa e madhe e fitores dhe entuziazmi i tretë pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë nuk po rezulton ende me një qeveri të re. Prandaj e kuptoj që ndjeheni të frustruar.
E vërteta është se ne nuk po presim.
Në frymën e fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit ku VETËVENDOSJE! kishte premtuar se nuk do të ketë një koalicion me partitë e PAN-it dhe duke u bazuar në fushatën e LDK-së se ku ata kërkonin koalicion vetëm me VETËVENDOSJE!-n, unë kam filluar menjëherë jetësimin e këtyre premtimeve zgjedhore.
Ne kemi filluar kontaktet, komunikimin dhe takimet me 7 tetor me LDK-në, vetëm disa orë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve preliminare, pa u vonuar dhe pa hezituar që shpresën dhe fitoren e madhe ta kthejmë sa më parë në qeverisje, por ajo që në dukej lehtë e arritshme doli të jetë e mundimshme.
Siç ju tashmë e dini:
• Në përputhje me rezultatin zgjedhor, ne ofruam gjysmën e programit qeverisës dhe gjysmën e qeverisë duke kërkuar që të ecim më hapa të shpejtë drejt jetësimit të qeverisë.
• Kemi qenë të hapur për publikun si kurrë më parë. Negociatat për koalicionin qeverisës i kemi mbajtur në ambiente publike sikurse zyrat e partive dhe në institucionin më të lartë të republikës, në parlament.
• Mediat, e përmes tyre qytetarët, e kanë ditur kur ne shkojmë në takim, ku mbahet takimi dhe kur dalim nga takimi. Natyrisht ajo çka nuk kemi mundur të ofrojmë është transmetim direkt të negociatave për koalicionin, kjo pasi do të ishte kundër-produktive.
• Kemi ofruar transparencë të veprimeve tona për qytetarët për secilin veprim që kemi ndërmarrë. Çdo përpjekje e çdo lëvizje është ndarë me qytetarët.
• Kam theksuar që takimet nuk mund të jenë lajm, se vetëm rezultatet janë lajm. Se për pyetjet e vjetra nuk mund të kem përgjigje të reja, përderisa nuk ka marrëveshje.
• Kam publikuar emrat e ministrave tanë, të ministrave nga radhët e VETËVENDOSJE!-s që publiku ta dijë e t’i njohë paraprakisht.
Si rezultat i kësaj transparence, sot çdo qytetar e din se ku jemi dhe çfarë po ndodhë, prandaj edhe nuk kam shumë sekrete për të treguar sepse kërkesat tona i kemi bërë publike dhe kemi trajtuar kërkesat e partnerit në negociata me konfidencialitetin e duhur e të kërkuar.
Duhet t’i ruajmë nervat. Të punojmë e të angazhohemi, por me durim. Këto bisedime nuk janë të lehta. Edhe më të rënda na presin bisedimet në të ardhmen si qeveri me faktorë të ndryshëm.
Sigurisht që kemi mundur e është dashur të arrijmë marrëveshje deri më tash. Pasnesër bëhen 100 ditë prej zgjedhjeve të 6 tetorit. Mirëpo, prej këtyre 98 ditëve, për përbërjen e qeverisë ne kemi biseduar vetëm pas certifikimit të rezultateve. 52 ditë ne i kemi humbur, duke pritur a po ia kalojnë pragun një partie ndonëse e kemi ditur që kjo nuk luan fare rol në renditjen e subjekteve tona, se kjo nuk mund ta ndryshojë fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Së fundmi, unë jam ekspozuar dy herë në mënyrë të rrezikshme: me 26 dhjetor jam ekspozuar para dy milionë qytetarëve dhe gjithë deputetëve të Kuvendit, pa pasur marrëveshje me LDK-në; dhe, mandej në takimin te Presidenti sërish u detyrova të shkoj pa marrëveshje me LDK-në, por së paku kisha gjysmën e kabinetit tim të bërë publik.
Mirëpo, unë e di se ajo që ju jeni të interesuar sot është të dini se ku ndodhemi tash dhe çfarë na pret në ditët në vazhdim.
Në takimin e mbajtur të mërkuren, të dyja palët kemi bërë nga një propozim. Pra, kishte lëvizje. Të enjten, ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi bërë edhe dy propozime të reja. Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do të trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi. Derisa nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi që kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë.
Ajo që ne nuk do të bëjmë është të kthehemi në kohë dhe të pretendojmë sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Gjërat kanë ndodhur, takimet dhe përpjekjet tona kanë ndodhur, ofertat tona kanë ndodhur, afatet kushtetuese kanë ndodhur, seanca konstituive e Kuvendit ka ndodhur. Pra, nuk mund të shtiremi se këto ngjarje e këto afate nuk kanë ndodhur e nuk i ka parë i gjithë populli.
Prandaj tash duhet të fokusohemi në të tashmen dhe çka mund të ndodhë, sepse çka duhet të bëjmë.
Është e vërtetë se jemi afruar, dhe po u afruam edhe pak, do të bëjmë marrëveshje. Vullnet e interes kemi, por garancion nuk mund të jap sepse nuk varet nga unë. Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër.
Është e mundshme që përveç popullit të fitojnë të dyja palët, të dy subjektet tona, Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Përveç qytetarëve, edhe të gjithë faktorët ndërkombëtarë e preferojnë koalicionin LVV-LDK.
Ajo që unë dua ta ritheksoj është se qytetarët me 6 tetor kanë votuar për ndryshim, jo për vazhdimësi dhe përsëritje, por për ndryshim.
Ajo që ne duhet të themi, e që nuk po e themi sa duhet, është se ne duhet të bëjmë të qartë se për çka qëndrojmë. Jo vetëm si liderë e si udhëheqës por edhe si qytetarë duhet ta bëjmë të qartë se ne nuk mund të kthehemi prapa, se ne nuk mund të bëjmë kompromis me të ardhmen dhe se asnjëherë nuk lodhemi e nuk do të lodhemi duke mbrojtur qëndrimet dhe parimet tona.
Ndryshimi me 6 tetor nuk ishte thjesht një fitore e një subjekti politik.
Të nesërmen me 7 tetor, qytetarët nuk thoshin se ka fituar Albini apo se ka fituar VETËVENDOSJE!-a, ata thoshin se më në fund fituam ne, pra fituam NE.
Ne, qytetarët e thjeshtë, pa biznese të mëdha, pa dajë të fortë, pa oligarkë mbrapa, pa media private, pa kontroll të shtetit e pa para të pista.
Ne, qytetarët të cilët kemi dijen dhe guximin, dinjitetin dhe integritetin, idealet dhe vetëbesimin por nuk fitonim dot në një shtet të kapur.
Gjyqtarët, prokurorët e policia mbeten ende të kapur nga politika, e politikanët ende të lidhur me krimin e korrupsionin. Vetëm tre ditë më parë, u shpall i zhdukur shoku i dhomës i Astrit Deharit duke na u rikujtuar se çfarë sistemi të drejtësisë kemi. Kurse, vetëm një javë më parë ju bë një shpërlarje speciale Klanit Pronto në gjykatë.
Punësimet e familjarëve në administratën e shtetit pa dije e pa dinjitet, duke përfshirë edhe sistemin tonë diplomatik nuk kanë pushuar, kurdisja e vjedhja nga tenderët e nga paraja publike nuk ka mbaruar.
Pra, le të mos harrojmë se në çfarë momenti ndodhemi. Ky është moment historik dhe definues i cili do të përcaktojë se çfarë republike dhe çfarë të ardhme do të ndërtojmë jo vetëm për veten por edhe për fëmijët tanë e brezat që vijnë pas nesh.
Fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me 6 tetor është fitorja e qytetarëve ndaj shtetit të kapur.
Por ne nuk e marrim fitoren me 6 tetor si të mirëqenë dhe të garantuar. Në VETËVENDOSJE!, më shumë se cilindo subjekt tjetër, e kuptojmë se sa e vështirë është rruga drejt fitores dhe drejt ndryshimit.
Prandaj lodhjen nga pritja dhe frustrimin nga vonesat le t’i kthejmë në kërkesa, jo për marrëveshje të shpejtë dhe me çdo kusht, por për marrëveshjen e drejtë që na duhet për të bërë ndryshimin që duam.
Do të bëjmë shumëçka që të arrijmë marrëveshje. Por, gjithnjë përbrenda kornizave të kushtetutës dhe ligjit, të demokracisë dhe të rendit republikan, të vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.