Kurti: Kosova është shembull në rajon për parandalimin e përhapjes së pandemisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë para gazetarëve tha se Qeveria e re e Republikës së Kosovës është shembull në rajon në ballafaqimin e suksesshëm në parandalimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
“Si Qeveri e re e Republikës së Kosovës jemi shembull jo vetëm në rajon por edhe më gjerë për ballafaqimin e suksesshëm në parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19”, është shprehur Kurti.
Tutje, Kurti tha se kemi vetëm 20 persona të testuar pozitivisht me koronavirus, nga të cilët vetëm një mund të cilësohet si person i cili është në rrezik jete.
“Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi në disiplinë shoqërore dhe qytetare, e cila ka bërë që sot në Kosovë të kemi jo më shumë se 20 të testuar pozitivisht me koronavirus. Nga të cilët vetëm njëri, një burrë i moshuar 77-vjeçpar, ka maskë oksigjeni, por jo makinë respiratori, dhe që të gjithnjë të tjerët nuk janë në rrezik jete”, ka thënë kryeministri Kurti.
Gjithashtu Kurti tha se deri tash 6 pacientë janë dërguar për trajtim në shtëpitë e tyre.
“Dy prej pacientëve janë liruar dje, në shtëpi, për trajtim shtëpiak, në vetizolim. Ndërkaq, katër të tjerë këtë e kanë bërë më herët”, shtoi Kurti.