Kurti: Koronavirusi u shpërnda në një dasmë në Zveçan, MSH e futi në karantinë Veriun
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendimin për futjen në karantinë të Mitrovicës veriore.
Kurti tha se Kosova po ndihmohet nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kemi numër rekord të testimeve, po na vijnë ndihma e mbështetje nga BE dhe ShBA, nurmi i të infektuarve është 140, i të shëruarve është 23, gjersa kemi një të vdekur”, tha Kurti.
Ndërkohë, për futjen në karantinë të Mitrovicës veriore, Kurti tha se këtë vendim e ka marrë Ministria e Shëndetësisë.
“Së fundmi, është sërisht Ministria e Shëndetësisë ajo që e ka shpallur karantinën edhe në dy komuna tjera: në komunën veriore të Mitrovicës dhe në komunën e Zvecanit, mirëpo nnuk kemi dashur ta bëjmë këtë gjë me tupan, në mënyrë që krizën shëndetësore të mos e thellojmë edhe me një tjetër. Ka pasur një dasmë në Zvecan para dy javësh, e cila e ka shkaktuar shpërndarjen e virusit Covid-19 atje”, tha Kurti.
Ndërkohë, situata në veri i ka shtuar kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi është raportuar se për masat e marra atje, autoritetet lokale në veri nuk janë konsultuar fare me institucionet e Kosovës.
Autoritetet lokale në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe futën në karantinë komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanin, pas raportimeve për mbi 20 të prekur nga koronavirusi në këto dy qytete.
Sipas masave të autoriteteve lokale asnjeri nuk mund të largohet nga këto dy komuna, përveç lëvizjeve për furnizim me ushqime dhe barëra. Ndalimi i lëvizjeve ka hyrë në fuqi në orën 13:00 të ditës së shtunë dhe do të vazhdojë deri në orën 5:00 të së hënës. Një masë e tillë është vendosur edhe në Serbi.
https://www.facebook.com/watch/?v=1293962487660601