Kurti: Këto janë tri arsyet kryesore se pse NATO bombardoi forcat serbe
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka folur rreth 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe.
Në status ai ka treguar se arsyet se pse NATO ka hyrë në Kosovë janë se nuk dëshironin që Kosova të mos bëhej Bosnje.
Tutje ai ka thënë se dy ditët më të mira të bombardimit janë e para dhe e fundit. Pasi që në të parën u godit Serbia dhe në të fundit se u dorëzua ajo.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Albin Kurtit:
20 vjet u mbushën sot nga bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe. E treta e vërteta: perëndimi ndërhyri ushtarakisht kundër Jugosllavisë së Tretë e cila ishte bërë tërë sisht e Milosheviqit.
Janë tri arsye kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash:
1. Sepse presidenti i Jugosllavisë , Slobodan Milosheviq, nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin e Rambujesë (ndonëse ai ishte mjaft i favorshëm për Serbinë). Kjo ishte në kontrast me marrëveshjen e Daytonit e cila e kishte fuqizuar Milosheviqin brenda (si pushtet) e jashtë (si personalitet).
2. Që Kosova të mos bëhej Bosnje. Me Srebrenicën në mendje dhe Reçakun para syve, nuk mund të lejohej përsëritja e gjenocidit në Evropë duke qëndruar duarkryq aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit. Edhe kredibiliteti global i NATO-s dhe perëndimit ishin në pyetje.
3. Që Maqedonia të mos bëhej Kosovë. Vazhdimi i luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe nuk do të mund të mbahej për shumë gjatë i lokalizuar në Kosovë . Shqiptarët ishin nën sulm mizor dhe përfshirja e Maqedonisë në luftë e bënte kalimin nga rreziku lokal në paparashikueshmëri rajonale (më së paku).
Dita e parë dhe e fundit e këtij intervenimi 78 ditor ishin më të mirat. Sepse u godit Serbia dhe sepse u dorëzua ajo. Midis këtyre dy çasteve kemi mesatarisht nga 5 masakra në ditë kundër shqiptarëve anembanë Kosovës. Në këtë pranverë populli i Kosovës do të përkujtojë mijëra 20 vjetorë, të dhembjes e pikëllimit për humbjet e vuajtjet, të krenarisë e shpresës për vendosmërinë dhe ardhmërinë.