Kurti godet fort, paralajmëron shkarkime të nivelit të lartë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së, në Kosovë, Natalia Apostolova ka thënë se të gjitha vendimet dhe emërimet që janë marrë pas dorëheqjes së ish- kryeministrit, Ramush Haradinaj, do të shqyrtohen.
I pari i Qeverisë ka theksuar se të gjitha vendimet që janë marrë pas datës 19 korrik 2019 nuk mund ta kenë statusin e njëjtë sikur vendimet para kësaj date.
Kjo përgjigje e Kurtit ka ardhur kur është pyetur se si do të veprojë me emërimet e fundit në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), respektivisht me kreun e AKI-së, Kreshnik Gashin, dhe me Burim Ramadanin, që është emëruar si Inspektor i Përgjithshëm në AKI.
“Të gjitha vendimet që janë marrë pas datës 19 korrik 2019 nuk mund ta kenë statusin e njëjtë sikurse vendimet e njëjta para kësaj date. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si kryeministër i saj do ta kemi një shqyrtim për gjithë këtë”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se dorëheqja është akt moral.
“Konsiderojmë se për të filluar një kapitull të ri duhet ta rrisim përgjegjësinë institucionale dhe ligjore. Dorëheqja është akt moral dhe nuk besoj më se vendimet dhe emërimet e mëpastajme e kanë statusin e pëlqyeshëm nëse respektojnë ligjshmërinë në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Kujtojmë se me 25 nëntor 2019, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e kanë emëruar shefin e ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Për shef në AKI ishte emëruar Kreshnik Gashi, i cili deri atëherë ka qenë kryetar i Bordit të ARKEP-it, kurse zëvendësministri në detyrë i FSK-së, Burim Ramadani nga radhët e AAK-së ishte zgjedhur në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së./FaktePlus