Kurti: GjND na ka pajisur me një armë të rëndësishme, kurrë s’është vonë për ta mirëpërdorur
Kyetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë me rastin e 10 vjetorit të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) se ky institucion e ka pajisur Kosovën me një armë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare që kurrë s’është vonë për ta mirëpërdorur.
10 vjet u bënë sot nga mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) i cili konstatoi që Serbia nuk kishte të drejtë në pretendimin e saj se shpallja e pavarësisë së Kosovës kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Lideri i Vetëvendosjes kujton se rezultatin e qëndrimeve të gjyqtarëve të GjND-së dhe kush i la përshtypja në atë kohë.
“Rezultati i qëndrimeve të gjyqtarëve të GjND-së ishte 10 me 4 në favor tonin. (Mbaj mend se nga deponimet e shteteve mike, mbresa të posaçme më pat lënë ajo e Prof. Martti Koskenniemi që përfaqsonte Finlandën)”, ka shkruar Kurti.
Ai shtoi se dështimi i Serbisë në GjND nuk u shfrytëzua nga Kosova dhe kjo është për të ardhur keq që në këtë dekadë ky mendim i GjND-së më së shumti u përmend te fusnota që iu mbivendos emërtimit të Kosovës.
“Në vend se ta forcojë subjektivitetin tonë ndërkombëtar dhe shtetëndërtimin e brendshëm, qeveria e atëhershme pat hyrë në dialog teknik e pastaj politik me Serbinë, gjithnjë për çështje të brendshme të Kosovës, duke e mbuluar rëndësinë e këtij vendimi dhe duke lejuar që të krijohet përshtypja se Kosova po rinegocion statusin e saj. GjND na ka pajisur me një armë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Kurrë s’është vonë për ta mirëpërdorur”, është shprehur Kurti.