Kurti: Edhe të shtunën punon Qeveria që i shërben Serbisë
Kryetari i VV-së, Albin Kurti ka reaguar pas vendimit të Kryeministrit Hoti për të hequr reciprocitetin me Serbinë.
Kurti ka thënë se qeveria me në krye Avdullah Hotin po mbajnë mbledhje edhe të shtunën që të heqin reciprocitetin me Serbinë.
“Edhe e paligjshme në Kosovë, edhe në shërbim të Serbisë
Edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka panumër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës”, ka shkruar kryetari i VV-së në Facebook.
Kurti tutje ka thënë se me vendimin e sotëm të kryeministri Hoti i ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme në dialog me Serbinë, kur ka deklaruar se me heqjen e reciprocitetit ka hequr pengesat për dialog.
“Hoti ka deklaruar që i ka hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në këtë mënyrë, ai ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut. Një këso shërbimi të mirë Serbisë nuk ka mundur as vetë Beogradi ta mendojë. Përveçqë dialogu do të jetë asimetrik sepse me reciprocitet të braktisur nga ana e Kosovës, aty pala kosovare hyn si fajtore për vonesën në rifillimin e dialogu”, ka thënë Kurti.