Kurti e Mustafa po tallën me qytetarët, Thaçi i “pafuqishëm” përballë tyre
Tani e tre muaj Kosova ka mbetur me qeveri në largim. Që nga 6 tetori prej që kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, dy partitë fituese,Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk po mund të merren vesh për poste, për çka edhe nuk po arrijnë të bëjnë një marrëveshje përfundimtare për koalicion.
Punë nuk kreu as 48 orëshi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ia dha liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për ta mandatar kryeministrin e ardhshëm.
Ky 48 orësh nuk u përfill nga VV pasi që një ultimatum kohor nuk është e paraparë me Kushtetutën e Kosovës.
Ultimatumi i Thaçit më shumë është parë si ultimatum politik. Por, presidenti i vendit edhe sot ia ka dërguar një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku ka theksuar se është në pritje të përgjigjes së tij, siç kishte premtuar në takimin e tyre konsultativ, por se ende nuk e ka pranuar propozimin e tij.
Pas funksionalizimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Thaçi i ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë e presin funksionalizimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe presin nga ai si President të dekretoj kandidatin/en e propozuar për Kryeministër.
Në këtë situata që gjendet vendi, presidenti del të jetë i pafuqishëm, e gjitha çka mund të bëjë ai sipas njohësve politik dhe kushtetues është që ai të bëjë presion politik apo edhe t’i drejtohet Kushtetutës.
Njohësi i Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka thotë se Thaçi do të duhet t’i thërriste në takim Kurtin dhe Mustafën.
“Presidentit do të duhet t’i thërriste VV-në dhe LDK-në në një takim. Këta të dytë janë në pretendim për ta formuar koalicionin dhe nuk e di pse nuk po i thirr. Të dy t’i thërras, keni a po nuk keni koalicionin ? Nëse nuk keni lajmëroni, tregoni dhe shkojnë në kandidatin tjetër dhe pastaj Kurti do të mund të shkonte në koalicion me parti tjera”, tha Smaka për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Meqë nuk ekziston një afat kohor në Kushtetutë, atëherë sipas Smakës, veprimi tjetër i Thaçit do të duhet të ishte adresimi tek Gjykata Kushtetuese.
“Ky afat nuk ekziston në Kushtetutë e do të duhet të interpretohet, fundi i fundit do të ishte zgjedhja më e mirë që presidenti t’i adresohej Gjykatës Kushtetuese dhe me kërkesën që ta jep shpjegimin sa më parë sepse vendi është pa qeveri. Dhe nëse do të dështonte formimi i koalicionit me kapacitet për ta formuar qeverinë le të formohet një qeveri teknike e cila do të bënte punën në disa amandatime”, potencoi ai.
Sipas, analistit politik, Imer Mushkolaj, e vetmja gjë që Thaçi mund të bëjë tani është presioni ndaj partive fituese për të arritur marrëveshje.
“Ultimatumi nuk ka bazë kushtetuese, është ultimatum politik dhe është bërë si një shenjë presioni që marrëveshja me u arrit. Presidenti të vetmen gjë që mundet me bë në këtë periudhë është që më vazhdu presionin politikë por nuk mundet me ndërmarrë asnjë hap në aspektin juridik, respektivisht në asketin kushtetues. Po të ishte në aspekt kushtetues, atëherë me kalimin e 48 orëve do të ndërmerrte hapa të tjerë. Por duke pas parasysh se është ultimatum politik apo afat politik, jemi në situatën kur bisedimet vazhdojnë, kurse nga ana e presidentit nuk mund të ndërmerret tash për tash asnjë veprim, për shkak se duhet me ndodhë diçka që presidenti me marrë vendim. Duhet me ndodh marrëveshja që ai ta dekretoj dhe me këtë logjikë nuk pres që ka me pas veprime juridike ose kushtetuese”, tha Mushkolaj për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Kjo që po ndodhë mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, sipas Mushkolajt është tallje me votuesit e tyre dhe me gjithë qytetarët e vendit. Madje ai për FaktePlus, thotë se është e papranueshme që qytetarët e Kosovës të mbetën peng i akomodimit të interesave partiake në postet politike.
“Kjo çka po ndodhë është një tallje me qytetarët në radhë të parë, po tallen me votuesit e këtyre dy partive, madje edhe tallje me qytetarët tjerë që nuk kanë votuar për këto parti, por që janë të interesuar që qeveria të krijohet sa më shpejt. Është totalisht e papranueshme që qytetarët të mbetën peng i akomodimit të interesave të kujtdo qoftë në poste politike ose të akomodimit të interesave partiake në poste politike”, tha ai.
Deri te dështimi i një marrëveshje, të paktën deri më tani, ka ardhur për shkak të postit të presidentit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme e tani edhe të presidentit.
Për çka Mushkolaj ka theksuar se qytetarët nuk kanë votuar për zgjedhjen e presidentit por për një parlament, e që sipas tij gjithë kjo po bëhet për interesa individuale puro-partiake.
“Veç duhet me u ditë që qytetarët nuk kanë votuar as për presidentin, as për ndonjë post tjetër që nuk ka lidhje me atë që janë mbajt zgjedhjet. Kanë votuar për një parlament që duhet me zgjedh një kryeministër një qeveri kjo është e tëra. Gjithë ky muhabet thjesht po bëhet për interesa puro-individuale, puro-partiake dhe nuk ka asnjë lidhje me parimet aq shumë të proklamuara prej VV dhe LDK-së”, thotë Mushkolaj.
Kujtojmë se nga 6 tetori i 2019-ës deri dje (09.01.2020), Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë takuar hiç më pak se 10 herë.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte mbetur e “befasuar” dhe e quajti të njëanshëm veprimin e Vetëvendosjes në seancën e 26 dhjetorit, edhe pse të gjithë 28 deputetët e kësaj partie votuan për kandidatin e propozuar të VV-së.
Pas këtij veprimi, për LDK-në të gjitha marrëveshjet e deritashme me VV-në kanë rënë në ujë.
Kurse, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetutës të Republikës së Kosovës të vitit 2014, në rolin si iniciues, presidenti i Republikës ka mandat, por edhe obligim kushtetues në bazë të nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, që t’i propozojë kuvendit kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të vendeve në kuvend.
Kjo Gjykatë ka theksuar po ashtu që “presidenti i Republikës nuk e ka diskrecionin të refuzojë caktimin e kandidatit të propozuar për kryeministër./FaktePlus/.