Kurti dikur i lavdëronte gjyqtarët e Kushtetueses, sot i quan të kapur
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila favorizon dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin kryeministër të Kosovës, bëri që Kurti t’i ndërroj fjalët për gjyqtarët e kësaj gjykate. Ata nga ‘ të drejtët’ u kthyen në ‘admirues të Thaçit’.
Pikërisht në vitin 2008, Kurti kishte shkruar fjalë të mëdha për gjyqtarët e kësaj gjykate, të cilët aso kohe kundërshtuan vendimin e qeverisë për t’ia rritur pagat vetvetes.
“Qeveria nuk do Ligj për Qeverinë, në mënyrë që të bazohet në Rregullore, teksa shkel Kushtetutën. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka-Nimani kishin të drejtë në mendimin e tyre të përbashkët mospajtues 14 faqësh, kur kundërshtuan vendimin e qeverisë për t’ia rritur pagat vetvetes”, kishte shkruar Kurti në 2008.
Ndërsa, pas vendimit që publikoi Gjykata Kushtetuese, Kurti nuk hezitoi të adresojë akuza të rënda në drejtim të tyre duke u thënë admirues të Thaçit, dhe duke mos e pranuar këtë vendim.
“Formulimet e llojit “… Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky “konsultim” formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi”, apo, “E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi edhe privilegj” përbëjnë shembuj eklatant të kreativitetit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në shprehjen e admirimit të tyre ndaj vendimeve të Presidentit të vendit”, ka shkruar Kurti në Facebook pas vendimit në favor të dekretit të Thaçit.
Më poshtë ju sjellim deklaratat e plota të Kurtit, më 2018, dhe këtë të fundit:
Shkrimi i Kurtit 20 dhjetor 2018:
Sot u bënë një vit prej kur kryeministri Haradinaj dhe qeveria e tij ia dyfishuan pagat vetvetes. Nesër, si pikë e rendit të ditës në seancë plenare është edhe votimi në parim i Projektligjit për Buxhetin për vitin 2019. Cili është kuptimi që Kuvendi të miratojë buxhetin që propozon një qeveri e cila ia rriti pagat vetes edhe me efekt retroaktiv?! Qeveria nuk do Ligj për Qeverinë, në mënyrë që të bazohet në Rregullore, teksa shkel Kushtetutën.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka-Nimani kishin të drejtë në mendimin e tyre të përbashkët mospajtues 14 faqësh, kur kundërshtuan vendimin e qeverisë për t’ia rritur pagat vetvetes. Ja dy përfundimet e tyre:
66. Ne konkludojmë se Vendimi nr. 04/20 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 20 dhjetorit 2017, nuk është në përputhje me nenet 92 dhe 93 të Kushtetutës, sepse as nuk “zbaton një ligj” dhe as nuk është një “propozim”.
67. Më tutje ne konkludojmë se rrjedhimisht Vendimi nr. 04/20 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 20 dhjetorit 2017, cenon kompetencat e Kuvendit të përcaktuara në nenin 65.5 të Kushtetutës, duke afektuar kështu balancimin dhe ndarjen e pushteteve të përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës.
Qeveria nuk kishte bazë ligjore, ra në kundërshtim me ligjin dhe cenoi Kuvendin.
T’ia rrisësh pagën vetes është vjedhje. Sepse vjedhja nuk është vjedhje meqë bëhet tinëz, por për shkak se është vjedhje. E, çdo vjedhje duhet të dënohet. E, më së pari ajo e qeverisë.
Është e nevojshme që pagat të rriten në vendin tonë. Por, jo ato të krerëve të shtetit dhe qeveritarëve. Ndërkohë paga minimale në Kosovë ngelet 170 euro për të gjithë qytetarët mbi 35 vjeç, dhe vetëm 130 euro për ata nën këtë moshë!
Shkrimi i Kurtit mbrëmë:
Mbrëmë natën, në orët e vona, morëm njoftimin nga Gjykata Kushtetuese lidhur me Aktgjykimin për dekretin antikushtetues të Presidentit.
Le të themi qysh në fillim, se në tekst dhe nëntekst nuk gjendet shumë lidhur me çështjet kushtetuese sa me metodën e pashembullt të shprehjes së parullave disiplinuese-ndëshkuese.
Mund të gjenden pak ose aspak raste në botën demokratike kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti duke u thirrur në shumica fiktive në Kuvend dhe duke spërdredhur deklarimet dhe shkaqet objektive siç ishte gjendja e rëndë e pandemisë.
Në vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë.
Gjykata ka theksuar se në vitet 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme të mosbesimit, nuk ka pasur vullnet dhe as shumicë në Kuvend për të formuar një Qeveri të re, mirëpo se si e kanë konstatuar këtë nuk dihet, pasi shpërndarja e Kuvendit ka qenë automatike.
Është e vërtetë që Presidenti s’ka një të drejtë absolute për të shpërndarë Kuvendin, por, pikërisht për këtë arsye, ajo është e kufizuar në mocionin e mosbesimit si kriter për këtë.
Gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inekzistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit.
Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon.
Në disa raste Gjykata në vend të interpretimit është marrë me shkrim e rishkrim të Kushtetutës, psh. në pikat 13 dhe 18.
Formulimet e llojit “… Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky “konsultim” formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi”, apo, “E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi edhe privilegj” përbëjnë shembuj eklatant të kreativitetit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në shprehjen e admirimit të tyre ndaj vendimeve të Presidentit të vendit.
Një vlerësim të plotë e të hollësishëm nga këshilltarët tonë ligjorë do të mund ta kemi pasi ta marrim tekstin e plotë të Aktgjykimit.
Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten.
Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar.
Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat e tjerë politikë do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim.
Gjykata Kushtetuese dje ka vendosur në favor të presidentit Hashim Thaçi lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.