Kurti bën thirrje për presion mbi Beogradin që t’i largojë bazat ushtarake nga kufiri
Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga ndërkombëtarët që Serbisë t’i bëjnë presion për t’i larguar bazat ushtarake përreth kufirit me Kosovën.
Në një intervistë për CNN ka theksuar se Serbia dhe Rusia janë të ngjashme për shkak të interesit të përbashkët të tyre për t’i zgjeruar territoret.
Ai ka shtuar se Serbia pret një mundësi për t’u futur në Kosovë dhe se këtë duhet ta parandalojnë partnerët perëndimorë.
“Fqinji ynë Serbia është shumë agresiv ndaj Kosovës, fillimisht duke mos e njohur si shtet të pavarur. Krahas kësaj është e angazhuar në luftë hibride dhe bën stërvitje ushtarake në kufi. Ka 48 baza operative përreth kufirit të Kosovës duke pritur për një dritare mundësie. Ajo çfarë kërkojmë nga partnerët perëndimorë është që t’i bëjnë presion Beogradit që t’i tërheqin këto baza, që secila që ka 50-150 ushtarë. Nëse flasim nga aspekti politik, Serbia është e ngjashme me Federatën Ruse. Ata nuk njohin de facto dhe de juro në të vërtetë fqinjët e tyre. Ata u shkaktojnë probleme fqinjëve, sepse ata duan zgjerim”, ka thënë Kurti.