Kurti: Adem Jashari e ka hisen më të madhe në historinë e vendit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, e ka hisen më të madhe në historinë e kombit, duke thënë se liria e tij individuale “e kishte përbashkuar kombin e tij deri në vdekje”.
Kurti ka thënë të martën në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së se liria ishte kushti i jetës dhe i vdekjes së Adem Jasharit.
“Adem Jashari ka një hise të madhe që është hisja më e madhe që mund të ketë një njeri në historinë e vendit të tij…Ajo është hisja e një njeriut që brenda kohës së tij e qenies së tij vepruese, lirinë individuale e përbashkoi e kombin e tij deri në vdekje…Epopeja e UÇK-së e lufta e familjes Jashari përmbledh një trashëgimi të madhe politike e kulturore. Kosova u çlirua nga Serbia okupatore, nga një trashëgimi politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit, e nga po kjo trashëgimi po ndërtohet e po forcohet dhe shteti ynë. E kam fjalën për trashëgiminë e dalë nga kultura dhe rezistenca e armatosur dhe aktivizimi i kulluar politik, sidomos nga lidhja e Prizrenit që i ka karakterizuar shqiptarët. Rezistenca e Jasharëve të Prekazit është unike në vetvete. Por ajo nuk është pa referenca në historinë e shqiptarëve, nuk është e patrasueshme edhe më tutje edhe sot”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit, këmbëngulësia e Adem Jasharit dhe e shokëve të tij luftëtarë “krijoi kushtet për mundësinë e çlirimit dhe shpalljen e pavarësisë”.
“Sot në Kosovë liria për të cilën kishte luftuar deri në vdekje Adem Jashari është bërë paradigma e jetës dhe e ligjeve të një shoqërie moderne”, ka shtuar ai para deputetëve.