Kurdisja e çmimit të naftës, AKK ka një njoftim rreth hetimeve
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) kishte shpalosur gjetjet për kurdisjen e çmimit të derivateve të naftës.
Për çka iu kishte dhënë afat kohor kompanive të cilat po hetohet që t’i dërgojnë komentet e tyre lidhur me hetimin. E që tashmë AAK i ka këto komente të operatorëve të cilët janë duke u hetuar.
Këtë e ka bërë të ditur, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Sipas këtij njoftimi për media, thuhet se AKK qëndron mbrapa gjetjeve paraprake, për çka do të nisin edhe seancat dëgjimore me ndërmarrjet që janë nën hetim.
Kujtojmë që, Autoriteti i Konkurrencës ka gjetur se kompanitë e naftës janë marrë vesh paraprakisht për rritjen e çmimit të naftës.
Në dhjetorin e vitit të kaluar fitimi mesatar për to ka qenë 124 për qind.
Kjo do të thotë që kompanitë që janë në procedurë hetimore, dyshohet se kanë pasur fitim prej rreth 9 % gjatë muajve janar-tetor 2018, kurse fitimi në muajin nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%.
Njoftimi i plotë:
Përmes kësaj komunikate për media, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dëshiron të informojë mediat dhe qytetarët e Kosovës rreth zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me hetimet që AKK është duke zhvilluar lidhur me çmimin e derivateve të naftës për dy muajt e fundit të vitit 2018. Siç kemi njoftuar në nëntor të vitit 2019 kur kemi shpalosur gjetjet e Njoftimit të Fakteve Paraprake, AKK u ka dhënë kohë të mjaftueshme të gjithë operatorëve që janë subjekt i këtij hetimi që t’i dërgojnë komentet e tyre lidhur me hetimin në fjalë. Në këtë kontekst, AKK njofton se tashmë ka pranuar komentet e operatorëve, dhe pas shqyrtimit te tyre, ka konstatuar që AKK qëndron prapa gjetjeve të paraqitura në Njoftimin e Fakteve Paraprake.
Sidoqoftë, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të fillojë së shpejti mbajtjen e seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, meqë rast palët do ta kenë mundësinë t’i kontestojnë faktet e konstatuara të AKK-së në seancë dëgjimore. Ky proces do t’i paraprijë një vendimi përfundimtar nga ana AKK-së lidhur me këtë çështje. Lidhur me mbajtjen e seancave dëgjimore, AKK do të njoftojë me kohë të gjitha operatorët që janë subjekt i hetimit. Siç është sqaruar edhe më herët, ky hetim ka filluar në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare.
Gjithashtu, AKK është duke i përcjellë me vëmendje ankesat e bizneseve lidhur me dyshimet për rritjet e çmimit të çimentos, të aplikuara nga një ndërmarrje që ka pozitë të fuqishme në tregun e çimentos në Kosovë. Bazuar në mandatin e tij, AKK do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës dhe do të njoftojë publikun lidhur me cdo zhvillim të mundshëm rreth kësaj çështjeje.