Kur rinisin punën autoshkollat – Që tre muaj askush nuk mori patentë-shofer në Kosovë
Që nga 13 marsi kur edhe u regjistrua rasti i parë me koronavirus, Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së virusit, duke bërë kështu kufizime të aktiviteteve ekonomike e deri tek lëvizja e qytetarëve.
Mbyllja e detyrueshme e shumicës së aktiviteteve për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit, ka ndikuar që të krijohen probleme të shumta e nga më të ndryshmet për qytetarët e gjithë globit.
Kështu prej tre muaj kandidatët që shpresuan se së shpejti do të bëhen me leje të vozitjes kanë mbetur duke pritur, pasi vendimi i marrë gjatë muajit mars nga institucionet që këto procedura të anulohen nuk janë shqyrtuar më dhe autoshkollat ende mbesin të mbyllura.
Lehtësimi i masave dhe hapje e veprimtarive tjera, por jo edhe e autoshkollaveka ngjallur pakënaqësi tek pronarët e rreth 400 autoshkollave që veprojnë në gjithë Kosovën.
Kryetari i Federatës së Autoshkollave të Kosovës, Xhemshit Cakolli tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se ministri i ri Arban Abrashi u ka premtuar se autoshkollat do të fillojnë punën brenda disa ditësh.
“Në takim me ministrin Abrashi kemi marrë premtime se do të fillojmë punën brenda disa ditësh, mirëpo po bëhen gati dy javë e ne jemi ende në pritje”, tha Cakolli.
Se kur do të fillojnë punën autoshkollat, Cakolli thotë nuk e di ende, mirëpo paralajmëron se nëse nuk ka ndryshim të vendimit do të mbajnë protestë para Ministrisë së Infrastrukturës më 18 qershor.
“Ne kemi bërë një kërkesë në polici për lejimin e një proteste të radhës që është caktuar më 18 qershor, ku do të marrin pjesë të gjitha autoshkollat e Kosovës me automjetet e tyre para Ministrisë së Infrastrukturës”, tha ai për FaktePlus.
Koronavirusi i la në gjysmë testimet për patentë-shofer, kjo është dita kur nisin punën Autoshkollat
Cakolli thotë se nuk ka arsye që autoshkollat të mos hapen, pasi edhe respektimi i masave mbrojtëse ndaj koronavirusit tek kjo veprimtari mund të bëhet shumë lehtë.
“Masat mbrojtëse tek ne janë shumë të lehta. Gjatë pjesës teorike, në sallat e ligjërimit i ndajmë kandidatët në grupe, ku do t’i mbajnë gjithsecili dorëzat dhe maskat”, u shpreh Cakollli.
Para disa ditësh, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Infrastrukturës, kanë marrë vendim që gjatë testit të vozitjes, të jenë të pranishëm një polic dhe një zyrtar nga Ministria e Brendshme.
Kryetari i Shoqatës së Autoshkollave “Dardania”, Afrim Islami, këtë vendim e konsideron qesharak, sepse sipas tij, policët duhet të përfshihen vetëm në raste mashtrimi.
Ismami thotë se për autoshkollat mbyllja nuk ka filluar më 11 mars, por më herët. Sipas Islamit, viti 2020 ka qenë vit i dështuar pasi që nuk ka pasur ekzaminerë dhe nuk janë mbajtur testet e vozitjes.
“Ekzaminerat i cakton Ministria e Infrastrukturës, por gjatë vitit 2020 nuk ka sjellë për shkak se nuk ka pasur”, tha Islami.
Përfaqësuesit e autoshkollave tregojnë se aktualisht në pritje për testim për patentë-shofer janë 400 kandidatë, ndërsa për stërvitje janë 300. Ata janë të shqetësuar për dëmet ekonomike që iu ka shkaktuar pandemia dhe po presin që t’i rikthehen normalitetit në mënyrë që t’i mbulojnë dëmet financiare./FaktePlus