Kur pritet të fillojë numërimi i votave me kusht, flasin nga KQZ
Tashmë kur në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ) janë publikuar të gjitha rezultatet e votave të rregullta, ende nuk dihet se kur do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për FaktePlus, se aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u bërë procesimi i rezultateve për subjektet politike dhe kandidatëve.
“Jo ende nuk dihet se kur do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës. Aktualisht në QNR është duke u bërë procesimi i formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatëve të cilat janë duke u regjistruar në bazën e të dhënave. Gjithashtu është duke u bërë regjistrimi edhe i votuesve të rregullt që kanë votuar në vendvotim në ditën e zgjedhjeve. Që procesi të përmbyllet ne duhet të numërojmë votat me postë, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, rezultatet e të cilave i bashkohen rezultatet të vendvotimeve të rregullta”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se KQZ-ja, është duke punuar maksimalisht, duke shtuar se në javën e ardhshme pritet të kompletohet numërimi i votave me kusht dhe me nevoja të veçanta
Elezi theksoi se KQZ-ja është duke punuar maksimalisht derisa thotë se në javën e ardhshme do të kompletohet numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta.
“Jemi duke punuar maksimalisht, nga java e ardhshme do të mund ta kompletojmë procesin e votuesve të rregullt dhe të atyre me kusht, si dhe do të bëhet verifikimi i tyre në mënyrë që ne të mund të fillojmë numërimin e votave me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta”, ka deklaruar Elezi.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 202 mijë e 968 vota, apo 25,48 për qind.
E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës, me 197 mijë e 702 vota, apo 24,82 për qind.
Ndërsa, në vendin e tretë është Partia Demokratike e Kosovës me 169 mijë e 211 vota apo 21,24 për qind.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e Kosovës, kanë arritur të marrin 92 mijë e 149 vota apo 11,57 për qind, që i ka renditur ata në vendin e katërt.
Kurse, koalicioni Nisma-AKR-PD, ka arritur të marrë 39 mijë e 495 vota apo në përqindje i bie 4.96 %./FaktePlus/