Kur do t’i shohin qytetarët edhe linjat private në telefonë?
Nga tetori i vitit të kaluar, Trafiku Urban i Prishtinës ka lansuar aplikacionin që qytetarët mund ta shkarkojnë në telefonat e tyre për të shikuar vendndodhjen e autobusëve.
Por, në këtë aplikacion, qytetarët nuk mund të informohen për autobusët e linjave private. Komuna e Prishtinës po premton se nga viti i ardhshëm kjo do të mundësohet, pasi linjat private të vendosin sistemin GPS nëpër autobusë.
Të presësh autobusin me të cilin ke për të udhëtuar, mund të mos jetë shumë e këndshme, sidomos kur nuk ke informata se kur do të vije ai. Por, Trafiku Urban i kryeqytetit është munduar të ua lehtësojë udhëtarëve të vet këtë gjë, duke sjellë tash e një vit aplikacionin i cili i njofton ata për vendndodhjen e linjave të autobusëve.
Ky aplikacion, i realizuar nga dy studentët, Arianit Pajaziti dhe Rinor Bytyҫi, përfshinë linjat 1, 3, 3C, 4, 7C dhe 15.
Zgjidhje për këtë pritje nuk u është bërë edhe udhëtarëve që përdorin linjat private të autobusëve që operojnë në Prishtinë, kjo pasi ata autobusë nuk e kanë të instaluar sistemin GPS.
Komuna e Prishtinës ka thënë për Express se ky problem do të zgjidhet në vitin 2019, pasi të jenë bërë reformat në Trafikun Urban.
“Aktualisht brenda aplikacionit janë autobusët publik, pasi që për një gjë të tillë është i nevojshëm GPS. Linjat private gjatë vitit tjetër do të hyjnë në të njëjtin sistem, pasi që t’i nënshkruajnë kontratat e reja dhe të ndërrojnë flotën e autobusëve. Linjat e reja dhe ndryshimi i linjave ekzistuese janë të parapara në Plan të Mobilitetit”, ka thënë Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.
Komuna po ashtu ka premtuar se që nga viti i ardhshëm, në reformat e Trafikut Urban do të nënshkruhen kontrata afatgjata me kompanitë që do të fitojnë për operim në linjat brenda Komunës, që do të thotë se edhe kompanitë private janë të obliguara të plotësojnë kushtet me autobusët e tyre për të qenë pjesë e Trafikut Urban.