Kur do të rinisin udhëtimet e rregullta me aeroplan në Kosovë
Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi ka dëmtuar tej mase bizneset në gjithë globin, por më së shumti duket se ka dëmtuar trafikun ajror. Kjo pasi, tash e sa javë fluturimet komerciale në gjithë botën janë ndaluar plotësisht dhe po bëhen në numër të vogël vetëm me organizime të shteteve për riatdhesime.
Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë qysh nga ditët e para kur Organizata Shëndetësore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur koronavirusin pandemi globale më 11 mars. Prej atëherë udhëtimi ajror i pasagjerëve gati se është ndaluar plotësisht.
Në disa raste janë organizuar disa fluturime nën mbikëqyrjen e shtetit dhe atë për kthimin e qytetarëve që kishin mbetur jashtë vendit.
Më 4 maj në Kosovë, ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit. Kështu nga ajo ditë kanë nisur të hapen gradualisht edhe një numër i bizneseve dhe një pjesë tjetër pritet të hapen gjatë ditëve të vazhdim.
Tash për tash fluturime do të ndodhin vetëm nën organizmin e shtetit për të kthyer qytetarët dhe se nuk dihet se kur do të rikthehet dhe në çfarë forme fluturimet komerciale.
Kështu të paktën kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, mandej Ministria e Shëndetësisë, si dhe nga Aviacionit Civil.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, gjërat mund të ndryshojnë dhe rivlerësimi i situatës do të bëhet gjatë fazës së tretë të masave të lehtësimit që nis me 1 qershor.
“Kufijtë dhe aeroportet ka mbetur që të rivlerësohen në fazën e tretë. Në atë kohë do të vlerësohet situata epidemiologjike”, ka thënë Hoti për FaktePlus.
E bazuar për situatën aktuale ende nuk ka afate të caktuara për linjat e fluturimeve.
“Gjatë fazës së tretë do të vlerësohet situata dhe do të specifikohen afatet për rifillimin e tyre”, është shprehur Hoti.
Se duhet të planifikohet për rifillimin e fluturimeve e ka thënë edhe Eset Berisha, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil.
“Tash gati dy muaj nga ndërmarrja e këtyre masave dhe me numrin e të infektuarve me virus në rënie, duhet të mendohet për rifillim të fluturimeve dhe hapjen e aeroportit. Por këto veprime duhet të bashkërendohen me veprimet e shteteve tjera me të cilat kemi linja ajrore”, ka thënë Berisha për FaktePlus.
Sipas Berishës, duhet të pritet vendimi i shteteve të BE-së dhe Agjencisë Evropiane për Siguri të Aviacionit.
“Deri me 15 maj vlen ndalesa e fluturimeve në nivel të shteteve të BE-së, pas kësaj date mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrin shtetet e BE dhe Agjencia Evropiane për Siguri të Aviacionit” , tha ai.
Mirëpo, kurdo që do të rifillojnë fluturimet, medoemos do të ketë masa mbrojtëse.
“Sigurisht se do të ketë nevojë për masa mbrojtëse gjatë udhëtimit dhe gjatë qëndrimit në aeroporte. Agjencia Evropiane ka lëshuar edhe disa rekomandime për autoritetet e aviacionit se si duhet të mbrohet personeli i aviacionit dhe udhëtaret. Këto masa zbatohen edhe në vendin tonë përmes Urdhëresës Administrative 01/2020 te AAC-s”, shtoi Berisha.
Kurse nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit thonë se ende nuk ka plan të saktë për hapjen e aeroporteve.
Kështu ka bërë të ditur Alban Zogaj, shef i kabinetit të ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku.
“Nuk ka akoma plan të saktë! Po presim rekomandimet e Institutit te Shëndetit Publik. Në momentin që ata na japin dritën e gjelbër, ne do të procedojmë menjëherë”, ka thënë Zogaj.
Prej se ka shpërthyer pandemia, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes ambasadave ka bërë hulumtimin e të gjitha kërkesave për kthim, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka bërë organizimin dhe kthimin e qytetarëve në vend.
Edhe nesër pritet të kthehen në Kosovë mbi 100 qytetarëve kosovarë që aktualisht janë në Zvicër dhe SHBA./FaktePlus