Kundërmimi po vazhdon edhe në mandatin e dytë të Shpend Ahmetit
Komuna e Prishtinës i harxhoi 210 mijë euro, por kolektori nuk u ndërtua siç ishte paraparë. Madje për shkak të zvarritjes së punimeve është inicuar edhe shkëputja e kontratës prej rreth 1.7 milion euro me kompanitë e kontraktura. Kështu banorët e lagjes “Kalabria” të Prishtinës, do të vazhdojnë edhe më tutje të përballen me kundërmimin e lumit Mat, për shkak të derdhjes së ujërave të zeza në të.
Lumi Mat, i cili ekziston vetëm në kujtesën e prishtinasve, që nga pas lufta u solli telashe të mëdha banorëve të lagjes “Kalabria”.
Era e keqe e përroskës, në të cilën dikur kalonte lumi, dhe frika që ndonjë fëmijë mund të bije në të, janë që shumë vite telashja më e madhe për banorët e kësaj lagjeje.
Për të ofruar një zgjidhje, Qeveria e kryetarit Shpend Ahmeti qysh në vitin 2016 bëri projektin dhe vendosi që të ndërtonte një kolektor për largimin e ujit atmosferik dhe kanalizimit fekal në rrugën mbi lumin Mat në lagjen “Kalabria”.
Madje, atëherë u tha se punimet do të kryhen për 6 muaj ose 180 ditë pune, shkruan FaktePlus.
Por, gropa e madhe që është hapur dhe një pjesë betoni që u vendos aty, do të mbesin edhe për disa muaj ashtu.
Kjo pasi Komuna e Prishtinës ka vendosur që kompanive të kontraktuar për ndërtimin e kolektorit t’ua shkëpus kontratën për shkak të zvarritjes së punimeve.
Zyrtari për informim në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë se tashmë kjo lëndë është në procedurë të shkëputjes së kontratës.
“E kemi dërguar në prokurim kërkesën për të shkëputur kontratën, po nuk kemi informatë ende nëse ia kanë shkëputur ose jo. Pra, jemi në pritje të përgjigjes”, tha Tahiri për FaktePlus.
Kompanitë e kotraktuara në vitin 2016
Grupi i operatorëve ekonomik që e patën fituar tenderin për ndërtimin e kolektorit mbi lum, kanë qenë: “Jehona” SHPK, NN “Beni Construction” dhe NNP “Arhiko Ing”. Lider i projektit ka qenë kompania “Jehona” nga Malisheva.
Vlera e projektit ka qenë 1, 696,063.32 euro. Gjatësia e rrugës mbi lum është 1240 metra. Kontrata decidivisht quhet “Ndërtimi i kolektorit betonarme për largimin e ujit atmosferik dhe kanalizimi fekal në rrugën mbi lumin Mat, në lagjen “Kalabria”. Plani dinamik, i paraparë në kontratë për këtë projekt ka qenë, 6 muaj ose 180 ditë pune.
Data e nënshkrimit të kontratës ka qenë bërë më 29. 12. 2016, por meqë temperaturat ishin të ulëta, punimet kanë filluar me datë 31 mars 2017.
Punimet e parapara dehe me kontratë kanë qenë: ndërtimi i kolektorit betonarme, në gjatësi prej 850 m; ndërtimi i kanalizimit fekal në gjatësi prej 2×850 m.
Komuna ka dhënë vërejtje edhe më parë
Edhe para disa jave komuna kishte shënuar në një raport të Drejtorisë së Investimeve Kapitale se kontrata për ndërtimin e kolektorit është në procedurë të shkëputjes.
“Procedura është në shkëputje të kontratës, si rezultat i neglizhencës së punëkryesit për të vazhduar punimet në segmentet e trasesë ku nuk ka pasur probleme pronësore”, thuhet në raportin mbikëqyrës të Komunës s ë Prishtinës, që e ka parë FaktePlus.
Sipas këtij raporti, kompanive i është paguar vetëm një këst në vitin 2017 për punët e kryera në vlerë prej 209.256.70 euro.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës e ka pranuar edhe vetë se në këtë projekt kishte hyrë me probleme pronësore, dhe eleminimi i tyre i ka kushtuar për rreth dy vite, por që nuk ishin eliminuar tërësisht.
FaktePlus e ka kontaktuar edhe përfaqësuesit e kompanisë së kontraktuar për të ndërtuar kolektorin, por ata nuk kanë dashur të deklarohen.
“Duhet të bisedoni me kompaninë lidere “Jehona”, sepse ne jemi vetëm mbështetës. Me sa di në atë projekt ka probleme pronësore”, tha njëri prej pronarëve të kompanisë NNP “Arhiko Ing”.
Ndërkaq, numri i vendosur në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, i kompanisë “Jehona” nuk ka pasur qasje./FaktePlus