Kufijtë e bllokuar, por qindra persona brenda ditës hyjnë e dalin nga Kosova
Pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, institucionet e vendit kanë marrë masa të rrepta mbrojtëse, duke mbyllur edhe kufijtë tokësor. Në fakt, të gjitha pikat kufitare në vend qysh më 14 mars janë mbyllur me arsyetimin se kështu do të ndikohet në parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Me këtë vendim që nga ajo datë nuk lejohet asnjë automjet dhe asnjë person që të futet në Kosovë dhe anasjelltas.
Të vetmit që janë lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës, në ditët e para të vendosjes së masave mbrojtëse, kanë qenë kosovarët që ndodheshin në Shqipëri dhe dëshironin të ktheheshin në Kosovë, si dhe shqiptarët me qëndrim në Kosovë e që donin të shkon për Shqipëri.
Mirëpo edhe pas vendosjes së masave, janë me qindra persona që vazhdojnë të hyjnë dhe të dalin nga territori i Kosovës.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje se sa persona po hyjnë apo dalin nga Kosova në këtë kohë të pandemisë.
Në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zyrtarët policor tregojnë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit në pikat kufitare kanë hyrë në Kosovë 858 persona, kurse kanë dalë 857 persona.
Nga Policia e Kosovës theksohet se janë duke vepruar sipas rekomandimeve të institucioneve përkatëse të shtetit dhe prej ditës kur janë marrë masa, po lejohen të hyjnë apo dalin nga territori i Republikës së Kosovës vetëm personat e autorizuar.
Në këto kushte e rrethana të pandemisë, në Kosovë për 24 orë kanë hyrë 775 kamionë, të cilët janë kontrolluar nga institucionet përgjegjëse, kurse nga Kosova kanë dalë 473 kamionë.
Sipas të dhënave policore, brenda territorit të Kosovës kanë hyrë edhe 26 vetura dhe kanë dalë 31 vetura.
Kurse në vendin tonë kanë hyrë edhe 6 persona këmbësor, të cilët janë kontrolluar nga autoritetet kosovare.
Ndryshe Kosova ka mbyllur si kufijtë tokësor edhe kufijtë ajror. Tashmë prej kohësh nuk realizohet udhëtime të zakonshme, por që kohë pas kohë institucionet janë duke organizuar fluturime të veçanta për të kthyer kosovarët nga vendet e Evropës dhe më gjerë./FaktePlus