Ku po mbahen qindra milionat e mbledhur nga shitjet e ndërmarrjeve
Janë shitur gati gjysma e aseteve nga 598 ndërmarrje shoqërore që për vite i ka identifikuar Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Nga shitja e tyre janë grumbulluar mbi 841 milionë euro. Prej gjithë kësaj shume një pjesë i morën punëtorët, një pjesë shteti dhe një pjesë ende mbahet në formën e depozitave brenda Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).
Në Republikën e Kosovës janë 598 ndërmarrje shoqërore me gjithsej 3 mijë e 987 asete, të cilat ndër vite i ka identifikuar AKP-ja.
Nga ky institucion tregojnë se deri më 14 tetor të këtij viti janë shitur gati gjysma e aseteve.
“Deri me datën 14 tetor janë gjithsej 1,798 asete të shitura (45% e aseteve). Kurse kanë mbetur edhe 2,189 të pa shitura (55% e aseteve)”, thuhet në përgjigjen e AKP-së dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Kurse mjetet e inkasuara në total nga procesi i privatizimit, përfshirë shitjet, qiratë dhe të hyrat tjera, kanë arritur në mbi 841 milionë euro. Prej gjithë kësaj shume të parave, një pjesë i morën punëtorët.
“Shpërndarje të fondeve. 20% për qind kanë shkuar për punëtorët e NSH-ve që janë 130,465,303.00 euro. Mandej ka pasur shpërndarje për kreditorët e NSH-ve me 26.468,967.00 uro”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, nga viti 2003 e deri më tash në buxhetin e Kosovës ka transferuar 326 milionë euro, kurse një pjesë të madhe po e mban në formën e depozitave brenda Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).
“Deri më tani në buxhetin e Republikës së Kosovës janë transferuar, 326,719,004 euro. Ndërsa gjendja e llogarisë aktuale është 265,739,779.00 euro. Sipas ligjit, mjetet tepricë pasi të shlyhen obligimet ndaj punëtorëve dhe ndaj kreditorëve transferohen në buxhetin e Kosovës si të dedikuara për investime kapitale për zhvillim ekonomik”, tregojnë nga AKP.
Ndërkohë Agjencia Kosovare e Privatizimit vazhdon punën dhe sipas dispozitave ligjore që janë ende në fuqi do të vazhdohet me privatizimin e pronës shoqërore sipas radhës.
Kurse nga AKP nuk kanë dashur të komentojnë deklarimet politike që ka dhënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje se posa ta merr pushtetin do të mbyll këtë institucion.
“AKP nuk komenton deklaratat politike. Siç e dini Agjencia Kosovare e Privatizimit ka mandatin e privatizimit të pronës shoqërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, dhe ky mandat buron nga Ligji i AKP-së Nr. 04/L-034 i miratuar po nga ky Kuvend. Pra, AKP vetëm e zbaton Ligjin e AKP-së dhe ligjet e tjera në fuqi që janë miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie dhënë për FaktePlus.