Ku ndryshon nga varianti origjinal i Covid-19 nga mutacioni i ri që u shfaq në Angli
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se është në “kontakt të ngushtë” me zyrtarë të Mbretërisë së Bashkuar për shfaqjen e një varianti të ri të koronavirusit. Varianti i ri po përhapet më shpejt se versioni origjinal, por nuk besohet të jetë vdekjeprurës.
Pjesë të mëdha të Anglisë jug-lindore, përfshirë Londrën, tani janë nën një nivel të ri, më të rreptë të kufizimeve, në një përpjekje për të frenuar virusin që përhapet me shpejtësi. Nuk ka asnjë provë që tregon se varianti i ri reagon ndryshe ndaj vaksinave.
Të dielën, Hollanda ndaloi fluturimet e pasagjerëve nga Anglia, për shkak të variantit të ri. Kjo masë do të qëndrojë në fuqi deri në 1 janar.
Çfarë dimë për variantin e ri?
Mbretëria e Bashkuat po ndante informacione nga studime të vazhdueshme në lidhje me mutacionin dhe se OBSH do të azhurnonte shtetet anëtare dhe publikun. Kryeministri Boris Johnson tha se varianti i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm se ai i vjetër. Por zyrtarët thonë se nuk ka asnjë provë aktuale për të treguar se varianti i ri, shkakton një shkallë më të lartë të vdekshmërisë ose që ndikohet ndryshe nga vaksinat dhe trajtimet.
Simptomat e llojit të ri të koronavirusit
Ka saktësisht të njëjtat simptoma si varianti origjinal, ka konfirmuar NHS. Pavarësisht nëse një person është i infektuar me origjinalin Covid-19 ose variantin, ai përsëri do të përjetojë një kollë të vazhdueshme, humbje të shijes dhe nuhatjes dhe një temperaturë të lartë. Një kollë e vazhdueshme klasifikohet si kollitje e madhe për më shumë se një orë ose tre ose më shumë kollitje në çdo periudhë 24 orëshe, ndërsa një temperaturë e lartë do të ishte mbi 37.8C.