“Kthimi i pjesëmarrësve të ISIS pa program deradikalizimi”
Avokati Kolë Krasniqi ka thënë se raporti i Qendrës Kundër Luftës së Terrorizimit dhe Akademisë Ushtarake në SHBA nuk vjen me ndonjë befasi për Kosovën.
“Të dhënat janë konstante me një dallim të vogël. Nga Kosova nuk ka numër specifik, ose konstant të saktë dhe nuk flet asnjë agjenci vendore e as perëndimore por ka vetëm spekulime”.
Ai në Info Magazine ka deklaruar se institucionet vendore duhet të përpilojnë programe për kthimin e tyre, përndryshe sipas tij do të ketë pasoja.
“Nëse lejohet ardhja e tyre pa ndonjë program për deradikalizim mund të nxisin pasoja të ndryshme sepse kanë përvojë të gjatë luftarake. Në kuptimin ideologjik e kanë thelluar radikalizmin. Mund të ishte me pasoja për sigurinë nacionale kthimi i tyre pa ndonjë program deradikalizimi”.
“Asnjë strategji perëndimore nuk bëhet vetëm në masa represive – me ndëshkime të ashpra nuk mund të realizohet qëllimi. Nëse arrijmë ta demaskojmë problemin e shkuarjes së këtyre personave në Siri atëherë beteja do të ishte e fituar”.
“Kishte me qenë mirë t’i shohim praktikat e shteteve tjera. Shkaktari kryesor nuk është mjerimi social. Hulumtuesit thonë se ndikimet nga jashtë kanë qenë vendimtare në stimulimin e të rinjve për të shkuar jashtë”.