Kthesë historike në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së – hapet kapitulli i parë i negociatave
Hapja e kapitullit të parë me Republikën e Shqipërisë do të shënojë edhe ndarjen e rrugës së saj me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse procesi i zgjerimit është i bazuar në “meritat individuale të kandidatëve”, ky është edhe proces politik dhe për këtë arsye shpesh është dashur që një vend ta presë vendin tjetër
Shqipëria do ta bëjë më 15 tetor një hap historik në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke e hapur kapitullin e parë në këto negociata.
Ky hap praktikisht e shënon nisjen e negociatave për Shqipërinë, pasi Konferenca e parë ndërqeveritare e zhvilluar para dy vjetësh e shënoi vetëm nisjen e procesit të “screeningut”.
Deri më tash, Shqipëria, ani se i pati përmbushur kriteret teknike, është bllokuar në këtë proces nga ana e Greqisë. Për të lëvizur në secilin hap në procesin e zgjerimit është i domosdoshëm pajtimi i të gjitha vendeve anëtare. Siç ka mësuar KOHA, javën e shkuar Greqia kishte hequr kundërshtimin e saj dhe pas kësaj ishte arritur pajtimi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së në grupin punues për zgjerim.
Presidenca hungareze e BE-së, e cila edhe e ka rolin e udhëheqjes së procesit negociues, i ka njoftuar vendet anëtare, si dhe Shqipërinë, për hapjen e këtij kapitulli më datën 15 tetor në një konferencë ndërqeveritare me Shqipërinë.
“Konferenca ndërqeveritare” quhen takimet mes përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së në njërën anë dhe vendit kandidat nga ana tjetër. Të dyja palët formalisht paraqesin pozitën e tyre negociuese dhe pastaj hapet kapitulli përkatës.
Hungaria, në cilësinë e kryesuesit të radhës, ka njoftuar se Shqipëria “në mënyrë të kënaqshme i ka përmbushur kushtet për ta hapur këtë klaster”. Sipas metodologjisë së re të procesit të zgjerimit të BE-së, të miratuar me kërkesë të Francës dhe të Holandës, kapitujt që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit duhet të hapen në fillim, pasi në procesin e negociatave duhet të ketë më shumë kohë për t’i përmbushur kriteret edhe për t’i mbyllur kapitujt. Janë gjithsej 35 kapituj në procesin e negociatave. E ky është kapitulli i parë nga 33 në përgjithësi që Shqipëria duhet t’i hapë dhe t’i mbyllë për t’u anëtarësuar në BE.
Hapja e kapitullit të parë me Republikën e Shqipërisë do të shënojë edhe ndarjen e rrugës së saj me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse procesi i zgjerimit është i bazuar në “meritat individuale të kandidatëve”, ky është edhe proces politik dhe për këtë arsye shpesh është dashur që një vend ta presë vendin tjetër. Për një kohë të gjatë, vendimet në BE për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut janë marrë në të njëjtën kohë. Por tash është vlerësuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka dhënë as shenja se është e gatshme që t’i përmbushë disa kushte në raportet e veta fqinjësore me Bullgarinë, të cilat kanë të bëjnë edhe me pozitën e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut. Për më tepër, janë vënë në pikëpyetje edhe disa vendime të mëhershme që Shkupi zyrtar i kishte miratuar si kusht për avancim në BE. Pasi në Bullgari së shpejti pritet që të zhvillohen zgjedhjet, është vështirë të besohet se në këto rrethana Sofja zyrtare do ta heqë kundërshtimin e saj.
Maqedonia e Veriut është vendi i parë i rajonit të Ballkanit Perëndimor që kishte nisur rrugëtimin drejt BE-së, madje edhe para Kroacisë. Kroacia tash e 11 vjet është vend anëtar i BE-së ndërsa Maqedonia e Veriut praktikisht as nuk i ka nisur negociatat. Për disa vjet ishte bllokuar nga Greqia për shkak të mospajtimeve rreth çështjes së emrit. Kur ishte hequr kjo pengesë, pasi vendi e ndërroi emrin në “Maqedonia e Veriut”, është paraqitur bllokada nga Bullgaria. Dhe kjo mbetet pengesë në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.
Në BE kanë thënë se tash Shqipëria, nëse vazhdon përmbushjen e kushteve, mund të hapë edhe kapituj të tjerë. Rasti i radhës pritet të jetë dhjetori i këtij viti, kur Shqipëria do të mund të hapte kapituj tjerë negociues në procesin e anëtarësimit në BE.
Gonzato: Suksesi në negociatat me BE-në do të varet nga dialogu ndërparlamentar
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka thënë të enjten, pas ftesës së bërë për Shqipërinë rreth hapjes së kapitullit të parë të negociatave të anëtarësimit në bllok, se suksesi në negociatat me BE-në do të varet nga dialogu ndërparlamentar dhe nga bashkëpunimi mes institucioneve.
“Shqipëria ka hyrë në një fazë kritike dhe po punohet shumë për t’u hapur shumë shpejt negociatat për kapitujt thelbësorë që kanë të bëjnë me institucione demokratike, gjyqësore, lirinë, sigurinë dhe fusha të tjera thelbësore, si reforma në administratë, statistika, prokurime publike e kontrolli financiar”, ka thënë Gonzato në një ngjarje në Tiranë, ku të pranishëm kanë qenë udhëheqës të institucioneve të pavarura, kryeparlamentarja dhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri. “Negociatat e suksesshme në hyrjen e BE-së kërkojnë një dialog ndërparlamentar në parlament, por gjithashtu edhe bashkëpunim ndërinstitucional. Shpresoj që në parlament, integrimi evropian të konsiderohet nga të gjitha forcat politike si prioritet kombëtar strategjik për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Nga ana tjetër marrëdhëniet ndërinstitucionale duhet të jenë në respekt të plotë të kushtetutës që ka të bëjë me kontrollin e balancën. Është shumë i rëndësishëm fokusimi i bashkëpunimit mes parlamentit dhe institucioneve të pavarura”, ka shtuar ai.