Kthehet shpresa në AKR, pas ikjes së Rrahim Pacollit
Njëri nga njerëzit me më ndikim në Aleancën Kosova e Re (AKR), Rrahim Pacolli, para disa dite bëri publike largimin e tij nga organet e kësaj partie, që e drejton djali i axhës së tij, Behgjet Pacolli. E largimi nga AKR-ja sipas versionit të vetë Rrahim pacolli është bërë për t’u përkushtuar më shumë në bizneset e tij private që ka aktualisht.
Por, njerëz brenda Aleancës Kosova e Re, thonë se me largimin e Rrahim Pacollit nga partia do t’i lëshohet fryma AKR-së dhe do të ketë shanse për një kthim të shpresës në parti, meqë ai ka qenë njëri prej pengesave që shumë intelektual të mos qëndrojnë në AKR, e madje as mos të bëhen pjesë e saj.
Megjithatë, sekretari i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se largimi i Rrahim Pacollit nga AKR-ja është bërë për arsye të tij private, e jo për shkak të ndonjë mosmarrëveshje apo pakënaqësie brenda partisë.
“Nuk ka ndonjë arsye apo shkas partiak të themi, mosmarrëveshje apo diçka, sepse nuk kemi pasur brenda në parti. Por, normalisht zotëri Rrahim Pacolli ka bizneset e veta bukur shumë disa biznese tjera dhe njeriu ka dëshirë nganjëherë të largohet nga disa tjerave për t’iu përkushtuar disa tjerave, kështu që secili ka arsyet e veta. Por, kurrfarë mosmarrëveshje apo kurrfarë ndikimi nuk ka pasur as marrëdhëniet tona, sepse ne jemi shumë fer të gjithë në parti të nivelit të Rrahimit, kemi qenë korrekt ndërmjet veti. Krejt është nga ana private e tij”, ka thënë Makolli për FaktePlus.
Më tutje Makolli ka mohuar që Pacolli të ketë qenë pengesë për qëndrimin e shumë intelektualëve në parti.
Sipas tij, largimi i tij nuk ka ardhur për shkak të mospajtimeve apo pakënaqësive brenda partisë.
“Jo, jo, ne nuk kemi pasur kurrfarë mosmarrëveshje, kemi pasur takime në Mitrovicë, kemi mbajtur Kuvendin ku u zgjedh Agimi, kemi qenë përfaqësuesit e qendrës, kurrfarë pakënaqësie nuk ka pasur. Nuk kemi pasur kurrfarë problemi. Po them krejt është personale, pasi do t’iu përkushtohet diçka tjetër. Ne njerëz jemi, këta që merren edhe me biznes është vështirë t’iu përkushtohen edhe partisë, kjo është e kuptueshme. Ju e dini Behgjet Pacolli është kryetar dhe atë e ka djalë të axhës, prandaj nuk ka asgjë këtu”, është shprehur Makolli.
Mirëpo, burime të Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, kanë thënë se largimi i Rrahim Pacollit nga AKR-ja i ka dhënë shpresë këtij subjekti politik që të ngjallet me prurje të reja të njerëzve dhe intelektualëve, pasi ai ka qenë njëri nga penguesit që shumë intelektual të japin kontributin në AKR.
“Largimi i Rrahim Pacollit është një shpresë për AKR-në pasi ai nuk ka lënë afër asnjë intelektual, duke bërë që të largohen të gjithë”, ka thënë ky zyrtar i AKR-së që nuk ka dashur t’i përmendet emri.
Partia e Behgjet Pacollit aktualisht është në koalicionin qeverisës ku udhëheq me katër ministri, derisa në Kuvendin e Kosovës i ka vetëm dy deputetë, Islam Pacollin dhe Labinot Tahirin.
AKR-ja në këtë mandat kishte arritur që në koalicion me LDK-në të merrte katër deputetë, por pasi Behgjet Pacolli ishte bërë Ministër ka liruar vendin e deputetit, derisa Korab Sejdiu ishte larguar nga AKR-ja si shkak i pakënaqësisë për largimin nga koalicioni me LDK-në dhe bashkëngjitjen me PDK-në e AAK-në për ta bërë Qeverinë./FaktePlus