Kryetari Latifi sqaron qëndrimin e tij për trasenë e autostradës që po kundërshtohet nga banorët
Pas diskutimeve me qytetarët dhe drejtuesit e komunave nga rajoni i Dukagjinit, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) edhe ka vendosur për variantin e trasesë se kah do t’i bie “Autostrada e Dukagjinit”, e cila do të kushtojë hiç më pak se 1 miliard euro.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MTI) arsyetohet se përzgjedhjen e variantit e ka bërë komiteti ndërministror për këtë projekt, pasi janë mbajtur debate publike në të cilat kanë qenë të pranishëm ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, kompania projektuese, njësiti mbikëqyrës e drejtues komunal.
Por, pasi ministria është përcaktuar për variantin e Drinit që i bie kah Rahoveci, kjo po kundërshtohet nga banorët e zonës dhe drejtuesit e kësaj komune, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Këshilli i banorëve të Rahovecit e ka kundërshtuar variantin e zgjedhur nga MIT, pasi që sipas tyre ky variant po dëmton Lumin Drin, por edhe po e lë të anashkaluar gjithë komunën, pasi që autostrada është larg 14 kilometra nga qyteti.
Kundërshtimi i këtyre banorëve po mbështetet edhe nga deputetët opozitar të Kuvendit të Kosovës, të cilët po vlerësojnë se komplet projekti i autostradës është i dëmshëm.
E derisa disa banorë të Rahovecit po e kundërshtojnë përcaktimin e trasesë së autostradës, i pari i komunës së Rahovecit që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Smajl Latifi po e mbështet versionin e MIT, e cila ministri udhëhiqet po ashtu nga AAK-ja.
Kryetari Latifi ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka mjaftueshëm ekspertizë për çka kanë shërbyer që të lidhet kontrata për hartimin e këtij projekti.
“Besoj që ka ekspertizë të mjaftueshme Ministria e Infrastrukturës e cila ka lidh kontratë me kompaninë për hartimin e projektit. Kanë një ekspertizë të mjaftueshme për me zgjedh versionin më të mirë në përputhje me interesat e banorëve të Komunës së Rahovecit. Për më shumë informata ata në Ministri mund të deklarohen se ata janë kompetentë për këtë”, tha Latifi.
I pari i Rahovecit thotë se janë vetëm disa banorë që e kundërshtojnë këtë variant. Madje ai ka thënë se ka takuar banorët kundërshtues me të cilët janë sqaruar.
Por, Latifi shton se për informata tjera banorët duhet t’i drejtohen ministrisë.
“Nuk kanë reaguar banorët, disa banorë kanë reaguar. Nuk jap unë koment, unë përfaqësojë interesat e gjithë qytetarëve komunës. Ne kemi fol me ta, jemi sqaruar. Por për më shumë informata le të shkojnë ata në Ministrinë e Infrastrukturës. Ata janë kompetentë”, ka theksuar Latifi.
E në Kuvendin e Kosovës u ngritën zëra kundër ndërtimit të “Autostradës së Dukagjinit”. Por, të menjëhershëm ishin në reagim deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët vlerësuan se kjo autostradë është e duhura dhe e domosdoshmja për atë pjesë.
E që sipas tyre, tani ka kaluar koha që qeveritë të jenë “për dikë nënë e për dikë njerkë”.
Megjithëkëtë kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u ka dalë në mbrojtje qytetarëve të Rahovecit për kundërshtimin “variantit të Drinit”, apo trasenë që është zgjedhur se kah do të kalojë “Autostrada e Dukagjinit”, për pjesën e Rahovecit.
Veseli në takimin e mbajtur me një grup qytetarësh të Rahovecit ka theksuar se duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve në mënyrë që projektet e mëdha të mos anashkalojnë asnjë qytet.
Për këtë gjë këshilli i banorëve të kësaj komune ka bërë edhe një peticion, i cili deri tani është nënshkruar nga mbi 6 mijë persona.
Banorët në reagimin e tyre kishin thënë se me “Variantin e Drinit” do të shpronësoheshin pronat e oligarkëve partiak të AAK-së./FaktePlus