Kryetari i trupit gjykues: Jemi bindur se Gucati e Haradinaj kryen vepër penale
Kryetari i trupit gjykues e ka nisur me akuza seancën e sotme kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Gjykatësi tha se veprimet dhe sjelljet e të akuzuarve e kanë sfiduar punën e Speciales, ndërsa më pas lexoi konstatimet e trupit gjykues.
Ai tregoi se si Gucati e Haradinaj “morën pjesë në më shumë se 20 intervista në media”.
Për materialin e publikuar, gjykatësi tha se të akuzuarit kanë bërë “komente nënçmuese” për dëshmitarët, pavarësisht paralajmërimeve.
Duke lexuar konstatimet e trupit gjykues, kryetari tha se të akuzuarit lejuan dhe shpërndanë dokumente konfidenciale të gjykatës, duke kryer vepër penale.
“Trupi gjykues është i bindur se të akuzuarit vepruan me synim të drejtpërdrejt me synim të zbulimit të informacionit të mbrojtur”, tha ndër tjerash kryetari i këtij trupi.
Gjykatësi tha ndër tjerash se “ZPS-ja e ka vërtetuar veprën penale”.