“Kryetari i komunës më ofroi post tjetër për të hequr dorë nga kundërshtimi”

Reforma për arsim në komunën e Kamenicës, siç duket ka sjellë situata të papëlqyeshme. Ndër problemet me të cilat përballët kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati, është edhe shkolla në fshatin Busavatë.
Drejtori i shkollës në Busavatë, Abedin Maliqi, ka thënë për emisionin “Amfiteatër” se kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ia ka ofruar postin e drejtorit në një shkollë tjetër vetëm që të heqë dorë nga kundërshtimi i tij për reformën në arsim.
“Në gjysmën e tetorit m’i kërcënoi punëtorët, dhe disa prej tyre që ishin labil, ose për ndonjë interes, sepse ju ofronte pozita të ndryshme. Edhe mua më ka ofruar pozitë drejtorit diku tjetër vetëm të largohem prej këtu”, ka thënë Maliqi.
Këtë deklaratë e ka kundërshtuar kryetari Kastrati, i cili ka thënë se drejtorit në fjalë i ka skaduar mandati dhe nuk ka pasur asnjë arsye që t’ia ofronte një pozitë të tillë.
“Drejtori atje e ka përfunduar mandatin në shtator të vitit 2019. Nuk kam pasur mundësi t’i ofroj asgjë tjetër. Të gjithë drejtorët e shkollave që janë përfshirë në reformë janë caktuar zëvendësdrejtor në shkollat ku kanë pasur t’i dërgojnë nxënësit . Ai sot është zëvendësdrejtor në shkollën Fan Noli”, ka sqaruar Kastrati.