Kryetari i Kamenicës tregon si u infektua me koronavirus
Rekord i rasteve me koronavirus është regjistruar sot në Kosovë, pasi pozitiv rezultuan 141 persona. Kështu numri total i të infektuarve ka arritur në 1756.
Mes të infektuarve është edhe kryetari i komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati.
Kastrati përmes ‘Facebook’ ka thënë se ka qëndruar javën e kaluar me një koleg nga Prishtina, i cili ka rezultuar pozitiv para dy ditësh.
“Javën e kaluar kam pasur kontakt me një koleg nga Prishtina. Para dy ditësh kolegu ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Në momentin që e kam kuptuar që ai ka bërë testin jam vetizoluar, ndërsa dje jam paraqitur për të bërë testin. Sot jam informuar që testi ka dalur pozitiv”, ka shkruar Kastrati, përcjell FaktePlus.
Kastrati ka shkruar se do të izolohet sipas rekomandimeve të IKSHP-së ndërsa i ka porositur ta bëjnë të njëjtën edhe ata që kanë pasur kontakt me të së fundmi.
“Punët në Komunën e Kamenicës do të vazhdojnë me intensitetin e njejtë, dhe unë do të vazhdoj të punoj nga shtëpia”, ka shkruar tutje.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Kamenicës,
Javën e kaluar kam pasur kontakt me një koleg nga Prishtina. Para dy ditësh kolegu ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Në momentin që e kam kuptuar që ai ka bërë testin jam vetizoluar, ndërsa dje jam paraqitur për të bërë testin.
Sot jam informuar që testi ka dalur pozitiv. Nuk kam asnjë simptomë por do të qëndroj i vetizoluar sipas rekomandimeve të IKShPK-së. Do t’i dorëzoj të gjitha kontaktet e mia pranë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, por ju lus të gjithëve që jemi takuar ditëve të fundit të vetizoloheni për disa ditë dhe të lajmëroheni nëse keni simptome.
Punët në Komunën e Kamenicës do të vazhdojnë me intensitetin e njejtë, dhe unë do të vazhdoj të punoj nga shtëpia.