Kryetari Ahmeti akuzohet se shpenzoi mijëra euro për drekën e Pavarësisë
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, ka akuzuar kryetarin e Komunës, Imri Ahmeti, për shpenzime enorme të luksit.
Sipas opozitës, vetëm për përvjetorin e Pavarësisë më 17 shkurt, komuna nga paratë e taksapaguesve ka shpenzuar për një drekë gjithsejtë 953 euro.
Opozita thotë, nëpërmjet një reagimi dërguar mediave, se qindra familje në Lipjan po mbijetojnë në varfëri të skajshme “derisa kryetari Ahmeti po i rrit shpenzimet e luksit”.
Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së, dega në Lipjan, i ka sugjeruar kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, që t’i reduktojë shpenzimet e luksit dhe të bëjë investime në shëndetësi, arsim e bujqësi.
“Presim që pas kësaj dreke (feste), kryetari të merret me prioritetet e zhvillimit ekonomik lokal, të rriten investimet në arsim, bujqësi, shëndetësi e kulturë të cilat mundësojnë zhvillime të prekshme që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës sonë. Pavarësia mund dhe më së miri festohet me qytetar dhe mes qytetarëve e jo me dreka e darka sepse rëndësia e saj është në shpirt të mbushur me gëzim, e jo në drekë të ngopur”, ka thënë Rizani.
Shpenzimet për drekën e Pavarësisë janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.