Kryetarët e dorëhequr serbë vazhdojnë të marrin paga nga Republika e Kosovës
Katër kryetarët e komunave veriore, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, ka gati dy muaj që kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre. Mirëpo, dorëheqjet vazhdon të mos ia pranojë zyra e kryeministrit dhe Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, duke i quajtur ato të jashtëligjshme.
Por, pavarësisht kësaj, edhe pse katër kryetarët serbë nuk po e ushtrojnë postin e të zgjedhur të qytetarëve, ata vazhdojnë t’i marrin pagat për këta dy muaj prej se kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre.
Pas vënies së taksës së Kosovës nga 10 për qind në 100 për qind për mallrat e Serbisë, katër kryetarët serbë të komunave në veri, me 29 nëntor kishin dorëzuar në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, dorëheqjet e tyre në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi të Qeverisë.
Edhe pas rreth dy muajve të dorëheqjes, zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj ende nuk ka marr asnjë vendim, se si do të veprojë me dorëheqjet e tyre, përveç se ka konstatuar se letra e dorëheqjes nuk është kushtetuese.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, nuk ka treguar nëse kanë marr ndonjë veprim, përveç se ka konstatuar edhe një herë se kërkesat për dorëheqje janë të papranueshme.
“Kërkesat janë të papranueshme sepse adresimi nuk është bërë siç duhet”, ka thënë Gashi për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Megjithatë, kjo situatë nuk po i pengon katër kryetarët serbë të komunave veriore që t’i marrin pagat nga Republika e Kosovës, ani pse nuk po e kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se të gjithë kryetarët e komunave janë në listën e pagave.
“Ju njoftoj se të gjithë kryetarët e komunave janë në listën e pagave dhe i marrin pagat në mënyrë të rregullt, duke përfshirë këtu edhe kryetarët e komunave në veri”, ka thënë Shahini për FaktePlus.
Mirëpo, nuk dihet se sa gjatë kryetarët e dorëhequr të katër komunave veriore do të mund t’i marrin pagat, derisa nuk janë duke ushtruar detyrën e të parit të komunës.
Për këtë, Shahini ka theksuar se duhet të pyetën Komisioni Zgjedhor ose MAPL-ja.
“Ndërsa sa i përket afatit se sa muaj kanë të drejtë të marrin paga pas dorëzimit të dorëheqjes, ju lutem që për këtë çështje të kërkoni përgjigje të Komisioni Zgjedhor ose edhe te Ministria e Pushtetit Lokal”, ka shtuar ai.
Por, në pyetjet e dërguara nga FaktePlus për MAPL-në, kjo e fundit nuk ka kthyer asnjë përgjigje, duke sugjeruar që pyetjet të adresohen në zyrën e kryeministrit. /B.Syla-FaktePlus