Kryesia e Kuvendit fillon me probleme, shkak mosformimi i qeverisë
Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur për herë të parë që nga konstituimi i kuvendit.
Kjo mbledhje e udhëhequr nga kryetari i ri Glauk Konjufca pati tri pika disktuese.
Ani pse me vështirësi, kryesia vendosi për dy delegacione që do ta përfaqësojnë vendin në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore
Ani pse kryetari i Kuvendit nuk u prononcua për media, këtu pati kritika opozita.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi nha PDK, e ka kritikuar Albin Kurtin për vonim të krijimit të institucioneve të reja.
“Diskutuam për dy tri pika të cilat i keni pa, kanë kaluar një muaj prej formimit të kësaj kryesie dhe kjo është mbledhja e parë, e thirrur jo për të trajtu ligje por për shkak se institucionet ndërkombëtare na kanë imponu, edhe delegacionit që i caktuam pati dilema, sepse një gjë po dihet sigurt se përfaqësues të opozitës jemi ne, për përfaqësues të pozitës ende nuk e dimë sepse ska shumicë parlamentare”, ka deklaruar ai.
Krasniqi thotë se kërkesa e PDK-së është që sa më shpejtë të krijohet qeveria, duke thënë se Albin Kurti duhet të dijë se jeta institucionale nuk është video lojë.
“Kanë kaluar rreth 106 ditë prej kur kanë kaluar zgjedhjet, më shumë ditë kanë kaluar prej certifikimit, ne sot skemi as qeveri as kuvend funksional, kërkesa jonë në vazhdimësi ka qenë ata që kanë fitu dhe që kanë mandate sa më shpejt t’i përmbushin obligimet e tyre, Albin Kurti si mandatar duhet ta dijë se jeta institucionale nuk është video lojë dhe lojërat me videot nuk i kryjnë punët të cilat i presin qytetarët”, tha Krasniqi.
Tutje, shtoi se PDK-ja është e vendosur për qëndrimin në opozitë.
“Pozicioni i Partisë Demokratike është i qartë, hala pa dalë rezultatet e kemi bë të qartë se në këtë mandate ne qëndrojmë në opozitë, ne deri në zgjedhje të ardhshme qëndrojmë në opozitë, jo që s’kemi marrë ftesa edhe nëse do të merrnim ftesa ne nuk do të ju kishim përgjigjur atyre”, deklaroi ai.
Ndryshe sot presidenti i vendit Hashim Thaçi ka dekretuar mandatarin e Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër Albin Kurtin, ku ky i fundit do të ketë 15 ditë kohë për ta bërë Qeverinë.