Kryeshefi i Telekomit: Do ta shkëpusim kontratën me Z-Mobile
Në protestën e organizuar sot nga punëtorët, ka dalw tw flas edhe kryeshefi ekzekutivi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, i cili ka bërë të ditur se kontrata 10 vjeçare me Kompaninë e Devollëve, Z-Mobile do të shkëputet.
Istrefi u tha punwtorwve qw protestonin se është një kompani amerikane që do të bëjë ekspertizën, derisa shkëputja do të ndodh më 30 korrik.
“Ne jemi ende në takim, është duke u diskutuar se e kemi ftuar një kompani amerikane që të bëjë një ekspertizë. Sot gjatë ditës kemi me njoftuar edhe Z-Mobile që shkëputja vazhdon me 30 korrik ndërsa pjesa tjetër e ekspertizës financiare pasi që është duke u diskutuar në mbledhje. Për shkak të pjesëmarrjes suaj erdha të ju jap këtë lajm për shkëputjen e kontratës”, tha Istrefi.
Qindra punëtorë të Telekomit të Kosovës kanë protestuar sot para objektit të kësaj kompanie në lagjen “Dardania”, duke kërkuar ndalimin e kontratës së me Z –Mobile.
Punëtorët me pankarta në duar kanë kundërshtuar kontratën e lidhur me Z-Mobile, duke thënë se kjo është e dëmshme dhe po shkatërron ndërmarrjen publike.
Kryetari i sindikatës Lahmi Balaj ka thënë se kontrata me Z-Mobile është kontratë korruptive dhe e dëmshme për Telekomin e Kosovës.
“Në kundërshtim të kësaj kontrate ne kemi përgatitur dhe kemi nënshkruar peticionin. Në të kemi treguar për dëmet e 200 milionëve që Telekomi i ka pësuar nga kontrata me Z-mobile. Nga të gjitha institucionet kemi kërkuar që kjo kontratë të mos vazhdohet”, ka deklaruar Balaj.
Kurse Rashit Gashi u ka kërkuar punëtorëve te Telekomit që të vazhdojnë me protesta deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Ju inkurajojmë të vazhdoni rrugën tuaj të drejtë mos lejoni në asnjë formë të ju gjejë ajo çfarë na gjeti neve”, ka thënë Gashi.