Kryeministri Kurti kontradiktor rreth letrave Thaçi-NATO për FSK’në në Veri
Duke u bazuar në një opinion të Zyrës Ligjore të Qeverisë, Albin Kurti akuzon Hashim Thaçin se ka shkelur Kushtetutën në vitin 2013 kur ka nënshkruar marrëveshje sekrete me sekretarin e NATO’s për të mos e lënë FSK’në të hyjë në veri, pa dakordim paraprak të NATO’s. Vetë Kurti nuk përgjigjet se a do të zotohej për ndalimin e shkuarjes së FSK’së në Veri, nëse këtë ia kërkon NATO’ja. Thotë se “nuk po shkojmë me FSK në Veri”, ndërsa konsideron se Thaçi është vetofruar për të ndaluar hyrjen e Forcave të Sigurisë në pjesën veriore të shtetit.
Kryeministri Kurti zbuloi sot një letërkëmbim që e ka bërë ish-kryeministri Hashim Thaçi me ish-sekretarin e NATO’s në vitin 2013 për ndalimin e ndërveprimit të FSK’së, pa dakordim paraprak me KFOR’in. Pas kësaj thirri konferencën e parë për media.
Letërkëmbimin e Hashim Thacit, tash president, me ish-sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s, Anders Fogh Rasmussen, Kurti e quajti “marrëveshje”, e më vonë tha se ish-kryeministri e ka bërë njëanshëm këtë zotim.
Shefi i Qeverisë beson se Thaçi është zotuar me vullnetin e tij që të mos lejohet hyrja e FSK’në në Veri, ndërsa dyshon se këtë kërkesë ka mundur t’ia bëjë Serbia.
“Është ish-kryeministri ai që tha se nuk do të shkojë Forca e Sigurisë së Kosovës veri të Kosovës në një shkëmbim të letrave, e cila nuk u pat bërë publike për deputetët, mos harroni që në atë kohë unë kam qenë deputet dhe nuk kam qenë në dijeni për këtë. Nuk është se do të marrim veprime, duam marrëdhënie të mira me NATO-n dhe KFOR-in por duam ta bëjmë publike për qytetarët se nuk ishte një marrëveshje po dy është në dorë të deputetëve të marrin hapa të tillë. Është obligim i imi që të njoftoj kryeparlamentaren, të parin e shtetit dhe kryeprokurorin e shtetit”, u shpreh ai në konferencën për media.
Ndërkaq shefi i Qeverisë shprehet i sigurt se NATO’ja nuk i ka kërkuar Thacit një zotim të tillë dhe se ish-sekretari i NATO’s vetëm e ka pranuar zotimin e ish-kryeministrit për ndalimin e FSK’së “meqë ai ka kërkuar”.
Kurti nuk është përgjigjur në pyetjen e Gazetës Express se a është i gatshëm ta vazhdojë zotimin, nëse këtë ia kërkon NATO’ja.
“Unë nesër kam takim me komandantin e KFOR-it”, tha Kurti, duke vazhduar të përgjigjet në pyetjet e tjera.
Letërkëmbimi i Thaçit me Rasmussen kërkon që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos hyjnë në pjesën veriore pa dritën e gjelbër të NATO’n. Kurti beson që Thaci bëri shkelje kushtetuese, mirëpo vetë thotë se FSK’ja e KFOR’i veprojnë bashkë e në të njëjtën kohë.
“FSK-ja, Ministria e Mbrojtjes, KFOR-i, NATO, janë gjithmonë bashkë në të njëjtën kohë”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti, gjithashtu tha se “Ka shkelje te kushtetutës dhe me te duhet te merren organet e hetuesisë”.
“Zotim i njëanshëm i presidentit, ky është shqetësimi ynë. Në vitin 2013 deputetët janë vënë në lajthitje. Aty janë 15 pika, e 6 pikat e para flasin për Zajednicën”, tha Kurti.
Në fund, Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij do të shkojë për vizitë në veri si në çdo pjesë tjetër të Kosovës.
“Ne do të fillojmë dialogun prej poshtë, edhe unë në mandatin tim si kryeministër do të shkoj gjithandej në Kosovë, përfshirë edhe në veri, për mua veriu është Kosova, por, nuk do të shkoj me FSK-në, nuk ka të bëjë përgjigja ime me zotimin e njëanshëm të vitit 2013”, ka deklaruar ai.
Ai shton se nuk duan që të marrin veprime, por të ruajnë marrëdhënie të mira me NATO-n dhe KFOR-in.