Kryeministri i Kosovës thotë se në veri të Kosovës nuk ka karantinim
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në veri nuk është vendosur masa e karantinimit, pavarësisht se për këtë dje njoftuan shtabet komunale të komunave në veri.
Ai ka thënë se askush s’mund të vendosë masë të karantinimit, pa marrë vendim Qeveria e Kosovës.
“Në veri vlen vetëm ligji i Kosovës, asnjë ligj tjetër. Si qeveri ne do të marrim vendim nëse ka nevojë për kufizim të lëvizjes. Institucionet e Kosovës respektojnë vetëm vendimet që dalin nga Qeveria e Kosovës, asnjë vendim tjetër”, ka thënë ai. “Brenda territorit vlejnë vetëm ligjet e Kosovës. S’ka karantinim në veri. Asnjë organ që vendos karantimin atje s’mund ta bëjë këtë pa vendim të Qeverisë së Kosovës”.
Duke komentuar deklaratën e Listës Serbe që vazhdon t’i referohet Kosovës si “Kosovë e Metohi” dhe se zëvendëskryeministri Goran Rakiq vjen nga kjo parti, Hoti ka thënë se “Rakiq i nënshtrohet ligjit të Kosovës”.
“Zëvendëskryeministri Rakiq në zyrën e tij i përdor simbolet e Republikës, ashtu siç kanë qenë. Deklarimet që janë bërë dje, s’kanë qenë të zëvendëskryeministrit Rakiq. Ai është anëtar i qeverisë së Kosovës dhe i nënshtrohet ligjit. Jam përgjegjës për kabinetin qeveritar. Secili i nënshtrohet ligjeve të Kosovës. Në cilindo rast që bie ndesh, unë detyrohem të marrë vendim arbitrar. Është çështje e tyre se si janë deklaruar”, ka thënë ai.