“Kryeministri Haradinaj u përkul para krimit të organizuar që ka mbërthyer Telekomin”
Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës e rifilloi procesin e privatizimit për Telekomin e Kosovës.
Sipas këtij subjekti politik me këtë akt, të cilin e kanë quajtur të paprecedent, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po përkulet para krimit të organizuar që e ka mbërthyer Telekomin.
“Aktualisht është në fuqi rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku qeverisë dhe kryeministrit i kërkohet të veprojë për të kundërtën. Pra për zhbërjen e kontratës kriminale me Z-Mobile dhe përfshirjen e profesionistëve në rimëkëmbjen nga kriza e qëllimshme ku e kanë futur Telekomin. Në vend se të zbatonte pikë për pikë këtë rezolutë siç e kërkon ligji dhe Kushtetuta, kryeministri Ramush Haradinaj u përkul para krimit të organizuar që ka mbërthyer Telekomin, ndërmarrjen publike me aksionerë 100% Qeverinë e Kosovës, sektorin strategjik dhe fitimprurës”, thuhet në komunikatë.
Kjo parti opozitare tutje konstaton se Ramush Haradinaj është duke ecur hapave të Qeverisë që dikur udhëhiqej nga Hashim Thaçi.
“Një përpjekje për privatizimin e Telekomit dështoi para 4 viteve pas denoncimit të pazareve me kompaninë Axos Gmh. Tani pas mbylljes edhe të procesit të arbitrazhit me këtë kompani kryeministri Haradinaj, verbtazi po ecën hapave të Qeverisë Thaçi II”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Ky subjekt thotë se Telekomi nuk duhet të privatizohet dhe se sipas tyre këtë nuk do ta lejojnë as qytetarët e Republikës së Kosovës as vet punëtorët e Telekomit.