Kryeministri del kundër BE-së, a po shkon Polonia drejt “Polexit”-it
Sfidimi i pashembullt që i është bërë njërit prej parimeve thelbësore ligjore të BE-së nga kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, e ka eskaluar seriozisht mosmarrëveshjen e Qeverisë së Polonisë me Brukselin dhe ka shkaktuar shqetësime se ky shtet po shkon drejt derës së përshkruar si “Polexit”.
Franca thotë se një largim i tillë tashmë është “rrezik de fakto”. Të premten në mbrëmje, ministrat e Punëve të Jashtme të Francës dhe Gjermanisë e kritikuan ashpër Poloninë, duke thënë se anëtarësimi në BE mbështetet në zbatimin e plotë dhe të pakusht të vlerave e rregullave të përbashkëta dhe se ky nuk është thjesht një zotim moral. “Është gjithashtu një zotim ligjor”, thanë ata.
Komisioni Evropian ka paralajmëruar se do t’i përdor të gjitha kompetencat kundër Polonisë. “Prioriteti ynë më i lartë është që të sigurojmë që të drejtat e qytetarëve polakë të jenë të mbrojtura dhe që qytetarët polakë t’i gëzojnë përfitimet e dhuruara nga anëtarësimi në BE”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Të enjten, Tribunali Kushtetues i Polonisë vendosi që nene kyçe të njërit prej traktateve kryesore të BE-së nuk janë në përputhje me ligjet polake, duke e refuzuar efektivisht parimin që ligji i BE-së ka përparësi para legjislacionit kombëtar në fusha të caktuara të sistemit juridik, shkruan BBC. Kryeministri polak e ka mirëpritur këtë vendim.
Komisioni Evropian thotë se këto ndryshime e kanë minuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Poloni dhe i kanë bërë gjykatat të hapura ndaj ndikimit politik.
Tribunali Kushtetues ka qenë caku i parë i reformave nga partia në pushtet, PiS. Kjo gjykatë tashmë mbizotërohet nga gjykatës që janë më të butë ndaj partisë në pushtet. Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, njëri nga gjykatësit është emëruar në mënyrë të paligjshme.