Kriza në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Autorët e një vlerësimi nga shoqëria civile për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) kanë publikuar gjetjet kryesore të raportit me emër “Kriza në akademi”. Aty ndër të tjera thuhet se që nga viti 2008, kur AShAK-u është ndarë si kategori e veçantë buxhetore, e sidomos prej vitit 2012, kur buxhetin vjetor e ka 1 milion euro, ka finalizuar vetëm një projekt.
GJETJET KRYESORE:
– Gati të gjitha publikimet e AShAK-ut, të të gjitha seksioneve, janë të autorëve shqiptarë dhe në gjuhën shqipe. Nuk ka pothuajse asnjë publikim në gjuhën angleze. Më shumë se gjysma e publikimeve janë vepra të anëtarëve të AShAK-ut dhe, për më shumë, janë ribotime, gjë që e redukton AShAK-un në shtëpi botuese.
– Prej katër revistave të AShAK-ut, e vetmja që ka dalë krejt në anglisht – «Acta Biologiae et Medicinae Experimentalis» – nuk del më që nga viti 1990. Ndërkaq, tri revistat e tjera, «Kërkime», «Studime» dhe «Studime Shoqërore», mbi 90% të punimeve të botuara i kanë të autorëve shqiptarë dhe vetëm në gjuhën shqipe. Për më tej, këto revista nuk kanë kode ndërkombëtare (nuk kanë ‘peer revieë’).
– Në të gjitha konferencat, simpoziumet, tryezat e tubimet shkencore të organizuara gjatë viteve ’90, e me theks të veçantë nga paslufta 1998-99 e deri më sot, të gjithë pjesëmarrësit janë shqiptarë, përveç në konferencën ‘Shqipja dhe Gjuhët e Ballkanit’, ku gjysma e pjesëmarrësve janë albanologë të huaj. Të gjitha publikimet nga këto konferenca, simpoziume, tryeza e tubime shkencore janë botuar vetëm në shqip.
– Që nga viti 2008, kur AShAK-u është ndarë si kategori e veçantë buxhetore, e sidomos prej vitit 2012, kur buxhetin vjetor e ka 1 milion €, prej 4 projekteve te mëdha, vetëm njërin e ka finalizuar: monografinë «Kosova – vështrim monografik». Projektin «Fjalori Enciklopedik i Kosovës», që është dashur ta përfundonte para dy vjetësh, nuk e ka kryer ende, për projektin «Korpusi i Gjuhës Shqipe» nuk ka asnjë informatë, kurse për «Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe» mund të thuhet se është praktikisht projekt i vdekur.
– Të gjitha projektet e mëdha të AShAK-ut, monografia «Kosova – vështrim monografik», «Fjalori Enciklopedik i Kosovës», «Korpusi i Gjuhës Shqipe» dhe «Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe», janë projekte kombëtare. AShAK-u nuk ka asnjë projekt ndërkombëtar.
– Prej vitit 2008 kur u pavarësua tërësisht si kategori buxhetore e deri më 2018, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës, AShAK-u ka marrë nga Buxheti i Republikës së Kosovës gati 10 milionë euro. Në gjashtë vitet e fundit, buxheti i AShAK-ut ka shkuar pak mbi 1 milion euro në vit, e rreth 2/3 e tij janë ndarë për paga dhe mëditje. Honorari mujor për anëtarin e rregullt është 1.429.54 €, e për anëtarin korrespodent 1.283.34 €.
– Të gjithë 22 anëtarët e rregullt të AShAK-ut, i kanë kryer studimet në të trija nivelet BA, MA dhe PhD kryesisht në Prishtinë, pastaj në Beograd, Sarajevë, Zagreb dhe në Lublanë, që do të thotë në universitetet e vendeve ish-jugosllave. Prej 16 anëtarëve korrespodentë, pjesa më e madhe i kanë kryer studimet BA, MA dhe PhD në Prishtinë, kurse të tjerët në Beograd, Zagreb e Lublanë, pra në universitetet e vendeve ish-jugosllave, e vetëm njëri i ka përfunduar studimet MA dhe PhD në një vend të BE-së dhe është i vetmi anëtar i AShAK-ut që pranoi të intervistohet për këtë publikim.
– Nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, vetëm 3 kanë nga 3 punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, ndërkaq prej 16 anëtarëve korrespodentë, 8 prej tyre kanë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare 3 nga 1 punim, 3 nga 3 punime dhe 2 të tjerë i kanë nga 6 përkatësisht 8 punime.
– Nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, pak më shumë se gjysma (12) kanë qenë të angazhuar nëpër parti politike – tetë në LDK (prej tyre më vonë dy në Lidhjen Demokratike të Dardanisë – LDD), dy në PFK, një në LBD dhe një në ORA. Kurse nga 16 anëtarë korrespodentë, gati gjysma (7) kanë qenë të angazhuar nëpër parti politike – katër në LDK, dy në PDK dhe një në PSD.
– Të gjithë anëtarët e rregullt të AShAK-ut (22) janë burra, e anëtarët korrespodentë (16) – 12 burra e 4 gra, të pranuara në vitin 2012 përkatësisht 2016. In memoriam janë 28 anëtarë, që të gjithë burra, e anëtarë të jashtëm janë 19, që të gjithë burra. Anëtar nderi është vetëm një dhe edhe ai është burrë.
– Të gjithë anëtarët e rregullt të AShAK-ut (22) janë shqiptarë dhe të gjithë anëtarët korrespodentë (16) janë shqiptarë. In memoriam janë 28, prej tyre dy sërbë, të zgjedhur në kohën e RSFJ-së. Anëtarë të jashtëm janë 19; ndër ta 8 janë shqiptarë dhe 11 të huaj (dy kroatë, tre amerikanë, një anglez, një gjerman, një francez, dy italianë, një zviceran). Anëtar nderi është vetëm një dhe ai është shqiptaro-amerikan. Që nga viti 1990 e këndej në AShAK nuk është zgjedhur anëtar asnjë pjesëtar i komuniteteve etnike minoritare në Kosovë.
– Në vitin 2018, Kuvendi i AShAK-ut për Kryetar zgjodhi akademik Nexhat Dacin, i cili më 10 nëntor 2010 ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 18 muaj burg me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare. Ky vendim ishte konfirmuar edhe nga një trup gjykues i Gjykatës Supreme, me dy gjykatës vendorë e një të EULEX-it.
– Dy anëtarë të AShAK-ut, Sabri Hamiti dhe Arsim Morina, janë akuzuar publikisht në media – i pari nga Sali Bytyçi, i dyti nga Talat Gjinolli – me dëshmi të forta, se veprat e tyre, madje njëra e publikuar nga vetë AShAK-u, janë plagjiatura. Mirëpo, AShAK-u nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash, madje ka refuzuar të prononcohet për këto raste.
– Përkundër memorandumeve dhe protokoleve të bashkëpunimit midis dy Akademive, AShAK-u nuk ka asnjë publikim të përbashkët me AShSh-në e as konferencë/ simpozium/ tryezë/ tubim shkencor. Rezultati i vetëm i memorandumeve dhe protokoleve është pjesëmarrja e anëtarëve të dy akademive në publikimet ose konferencat/ simpoziumet/ tryezat/ tubimet shkencore të njëra-tjetrës.
– Përkundër faktit që AShAK-u ka gjithë ato marrëveshje të nënshkruara me akademi dhe asociacione akademike, rezultati deri më sot është një libër i botuar nga AShAK-u dhe Akademia e Sllovenisë, si dhe një nga AShAK-u dhe Akademia e Maqedonisë.
– AShAK-u ka marrëveshje me UP-në, por as me këtë institucion nuk ka asnjë projekt të përbashkët. Sa u takon institucioneve të tjera shkencore, si Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë, Instituti i Albanologjisë, etj., ‘bashkëpunimi’ i vetëm është se punonjës të këtyre instituteve kanë qenë ose janë anëtarë të AShAK-ut. Këtu përjashtim bën Instituti i Albanologjisë, ngaqë shumica e të refuzuarve për të qenë pjesë e AShAK-ut vijnë nga ky institut. Në të njëjtën kohë, edhe kritikët më të mëdhenj të AShAK-ut vijnë po nga ky institut.
– Ndonëse në vitin 2015, gjatë miratimit të ligjit për AShAK-un, është thënë se ai do t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën e vet, deri më sot nuk i ka raportuar asnjëherë Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji të Kuvendit të Kosovës.
– AShAK-u nuk ka Zyrë për Marrëdhënie me Publikun e as zëdhënës. Faqja zyrtare në internet e AShAK-ut është e pastrukturuar, e papërditësuar dhe vetëm në gjuhën shqipe (nuk ka asgjë në gjuhën angleze). Për qëllime të këtij publikimi, kërkesa për intervistë u është dërguar udhëheqësve të AShAK-ut dhe vetëm njëri ka kthyer përgjigje.
Ndryshe, raporti «KRIZA NE AKADEMI», është hartuar nga Shkëlzen Gashi, botuar nga INTEGRA, financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) që menaxhohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).