“Kriza humanitare”, Spahiu: Qëllimi është të dëshmohet që veriu nuk është Kosovë
Analisti politik Nexhmedin Spahiu e ka komentuar gjithë situatën e krijuar në veri që po cilësohet edhe si skenar i inskenimit të një “krize humanitare”.
“Kjo është e natyrshme sepse serbët i fryjnë kungullit në gardh dhe nuk presin që t’ua djegë buzët. Ata i rrinë shumë më përpara problemit”.
“Prej kur është vendosur taksa është ndjerë mungesa e mallrave të cilat janë kontrabanduar”.
“Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë mjaftuar me atë që e kanë vendosur taksën dhe nuk janë përpjekur shumë që ta realizojnë 100 % ndalesën. Qëllimisht e kanë lënë që të neutralizohet puna e taksës dhe që të mos ketë revoltë dhe probleme”.
“Me kohën pastaj janë ndërmarrë hapa që e ndalojnë kontrabandimin. Serbët e kanë hetuar që Qeveria dëshiron ta ndalë kontrabandën. Kur ndalet kontrabanda, atëherë ndalet edhe furnizimi me mallra serbe sepse askush nuk ka llogari t’i blejë produktet 100 % më shtrenjtë”.
Por, a mund të ketë vërtetë krizë humanitare në veri të Kosovës?
“Kosova është një treg. Nuk mund të krijohet krizë në një pjesë të Kosovës dhe të mos krijohet në gjithë vendin. Nëse ndalet kontrabanda, atëherë kjo do të reflekohtet në gjithë tregun e Kosovës në një masë të njëjtë”.
“Asgjë nuk i ndalon serbët e veriut që të dalin në jug dhe të blejnë mallra. Ka mjaft kompani në veri që blejnë mallra jo vetëm nga Serbia, por edhe nga vendet e tjera”.
“Edhe sikur të mos ketë asnjë kompani të tillë, serbët mund të dalin në jug dhe të furnizohen me mallra”.
Spahiu në Info Magazine të Klan Kosovës e ka komentuar edhe thirrjen e të ashtuquajturës “Shoqata e Afaristëve të Kosovës dhe Metohisë” që serbët në veri të mos blejnë asnjë produkt nga shqiptarët.
“Ky është roli patriotik. Ata kanë më shumë besim në mallrat serbe dhe këtë duhet ta kuptojmë”.
“Tregu i Kosovës është i pasigurt dhe nuk kanë besim që institucionet që duhet të kujdesen për shëndetin e popullatës në Kosovë kujdesen në mënyrë të mjaftueshme”.
“Ka një mosbesim sepse në Kosovë futen shumë lloje të mallrave që mund të mos jenë të garantuara. Ka mallra që ndoshta në ndonjë vend tjetër Inspeksioni do t’i hidhte nga tregu”.
“Nëse institucionet e Kosovës nuk e mbrojnë fillimisht popullatën shumicë, pse të besojnë ata që i mbrojnë edhe serbët. Është shqetësimi i tyre që është i drejtë, por është tjetër çështje relacioni mes Kosovës dhe Serbisë”.
Cili është synimi i gjithë kësaj situate të krijuar dhe asaj që është paralajmëruar që mund të ndodhë në veri të Kosovës?
“Synimi është që të shkaktohen tollovi. Kur ishte aksioni në veri, njerëzit atje nuk lëvizën. Nuk pati tubime të popullatës sepse njerëzit e shohin që këto janë lojëra politike dhe nuk duan të marrin pjesë më”.
“Meqë nuk u shkaktuan incidente dhe nuk pati tubime të përmasave që donte Qeveria e Serbisë, kjo është një masë më efektive”.
“Ti ua mbyll dyqanet dhe mjafton që t’i kesh 10-15 persona që shkojnë në secilin dyqan dhe nëse ai është i hapur, atëherë e rrahin pronarin ose e mbyllin dyqanin. Policia njëkohësisht nuk vepron sepse shumica e policëve në veri i takojnë komunitetit serb dhe kanë frikë nga Beogradi sepse e dinë që Beogradi vendos për fatet dhe karrierën e tyre”.
“Nëse dikush me urdhër të [Aleksandar] Vuçiqit shkon dhe i mbyll dyqanet, si ta arrestojnë policia atë person? Nëse ua ndalojnë dhe thonë që do t’ua hedhin qeset përtokë atyre që blejnë në jug, atëherë njerëzit do të reagojnë”.
Analisti politik Spahiu ka thënë se pas gjithë kësaj situate është një qëllim.
“Konkluzioni është që qëllimi është politik që të dëshmohet që veriu i Kosovës nuk është Kosovë, që institucionet e Kosovës që janë në veri janë të lodhta dhe që Serbia e kontrollon situatën atje”.
“Ajo që duhet të bëjnë institucionet e Kosovës është që të përgatiten që t’i përgjigjen sfidës. A ka forcë kryeministri Ramush Haradinaj që nesër kur të shkojnë t’ua thyejnë dyqanet serbëve t’i mbrojë ata?”.
“Nëse ka vullnet të Prishtinë zyrtare që kjo të mos ndodhë dhe qytetarët si në veri dhe jug të mbrohen, atëherë duhet të shtojnë forcat dhe duhet të arrestohen ata që thyejnë dyqanet”.
“Nëse kjo ndodh, atëherë ky plan nuk do të ketë sukses. Nëse ata arrijnë t’i mbyllin dyqanet dhe t’i ndalin njerëzit të lëvizin drejt jugut, atëherë aty vendoset një kufi dhe krijohet një situatë ku Serbia shkon në bisedime me një fakt të kryer ku dëshmon që e dominon atë territor dhe nuk mund të flitet për integritet të Kosovës”.