Kritikohet ndarja e 300 mijë eurove për delegacionin e Kosovës për bisedime me Serbinë
Ndarja fillestare prej 300 mijë eurove nga Qeveria e Kosovës për delegacionin shtetëror për dialogun me Serbinë, po kritikohet nga analistët. Sipas tyre, zyrtarët e shtetit nuk do të duhej të paguheshin ekstra për angazhimin e tyre në çështjen e dialogut, duke qenë se secili prej tyre aktualisht merr pagë të majme për postin që mbanë.
Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të hënën, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se ndarja e këtyre mjeteve po bëhet për funksionimin e delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë.
“Propozoj që të ndahen mjetet në vlerë prej 300 mijë eurove. Këto mjete do të ndahen nga kategoria e mjeteve rezervë”, tha Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.
Mirëpo, analisti Imer Mushkolaj, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se këta zyrtarë nuk do duhej të merrnin para shtesë meqë angazhohen për dialogun, duke qenë se ky proces nuk është punë shtesë.
Madje, sipas tij, zyrtarët që janë të përfshirë në delegacionin shtetëror të Kosovës, nuk meritojnë as pagat e majme që marrin aktualisht, e lere më të shpërblehen me të ardhura tjera shtesë.
“Dialogu nuk është punë shtesë dhe nuk do të duhej paguar ekstra njerëzit që merren me të. Por, logjika e shpenzimit “pa dhimtë” të parasë publike, ka bërë që Qeveria të tregohet dorëlëshuar edhe në këtë rast. Përndryshe, shumica e zyrtareve të përfshirë në dialog nuk i meritojnë as pagat e majme që marrin, e lere më edhe të shpërblehen për dialog”, tha Mushkolaj.
Kryesuesi i delegacionit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, Fatmir Limaj, e ka arsyetuar këtë vendim të Qeverisë duke thënë se në bazë të ligjit që do të miratohet në Kuvend, parashihet që delegacioni të ketë sekretariat, arkivë dhe angazhim të ekspertëve, prandaj duhet të paguhen.
“Siç e parashikon edhe ligji është e shkruar që delegacioni shtetëror duhet ta ketë një sekretariat, duhet ta ketë një arkivë, duhet të ketë angazhim të ekspertëve të fushave të ndryshme. Prandaj, për këto arsye duhet të ketë edhe mbështetje financiare. Kjo është një shumë fillestare aq sa kemi kërkuar ne, por kurdo që ka nevojë delegacioni për mjete shtesë besoj Qeveria është në dispozicion të delegacionit”, ka thënë Limaj.
Ndërsa edhe Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se nuk do të duhej të merrnin para shtesë zyrtarët e angazhuar në procesin e dialogut.
“Secili projektligj ka parashikimet buxhetore. Patjetër që zyrtarëve të cilët kanë tashmë pozita shtetërore nuk duhet t’ju alokohen paga shtesë për angazhimin në kuadër të procesit të dialogut. Gjithsesi ekipi shtetëror do të kenë shpenzime shtesë në kuadër të angazhimit të tyre të cilat duhet të përfshihen në parashikimet buxhetore përfshirë këtu angazhimin e ekspertizës së paraparë me projektligj”, theksoi Krasniqi për FaktePlus.
Me tutje ajo ka kërkuar transparencë në shpenzimet për mjetet e ndara.
“Është mëse e nevojshme që të ketë transparencë të plotë se si do të përdoren këto mjete, për çfarë arsyesh do të alokohen, përfshirë këtu dhe mënyra e angazhimit të personave të tretë të cilët do të artikulojnë qëndrime në emër të shtetit të Kosovës. Në mënyrë që të mos ketë abuzime dhe keqpërdorime”, u shpreh ajo.
Delegacionin shtetëror për dialog me Serbinë do ta kryesojnë Shpend Ahmeti nga PSD-ja dhe Fatmir Limaj nga Nisma. Ndërsa, anëtarë do të jenë, Enver Hoxhaj (PDK), Avni Arifi (AAK), Behgjet Pacolli (AKR), Visar Ymeri (PSD/vend i rezervuar për opozitën), Dukagjin Gorani (PSD/ vend i rezervuar për opozitën), Mahir Jagcilar (Grupi 6+), Dardan Gashi dhe një anëtar nga Shoqëria Civile./B.Syla-FaktePlus