Kritika të shumta për Melania Trump, pasi nxori në ankand kapelen e saj për 250 mijë dollarë
Ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump është vënë në qendër të kritikave nga mediat amerikane për shkak të koleksionit që ka nxjerrë në ankand, i quajtur ndryshe si koleksioni i “Kreut të Shtetit”.
Pjesa më e madhe e veshjeve të një zonje të parë ruhet dhe shpesh i jepet një biblioteke presidenciale ose një muze tjetër, ndaj vendimi i znj Trump po anashkalon traditën, thonë ekspertët.
“Edhe pse është e drejta e saj ta bëjë këtë, nuk është në përputhje me atë që kanë bërë ish-zonjat e tjera të para, duke dhuruar artikuj të ngjashëm në Arkivin Kombëtar dhe bibliotekat presidenciale në interes të ruajtjes së historisë dhe të popullit amerikan”, tha Mark Updegrove, CEO i Bibliotekës presidenciale, LBJ.
Të anashkalosh traditën dhe të shikosh përfitimin më të madh është një shenjë dalluese “Trumpiane”, sipas mediave. Melania Trump nuk ka dhënë asnjë sqarim nëse këto para do të shkojnë një pjesë për bamirësi spo do të jenë tërësisht për përfitim personal, ndërsa blerja do të bëhet vetëm me kriptomonedhën Solana.
“Shumë prej këtyre artikujve kanë një rëndësi të veçantë historike, fustani i veshur në një ceremoni inaugurimi ose fustani i veshur në vizitë presidenciale, për shembull,” thotë Updegrove. Kapelja është në dispozicion për shitje deri më 25 janar, ekskluzivisht online, me një çmim fillestar prej 250,000 dollarë, ose rreth 1,416 Solana, sipas faqes së internetit të gruas së Donald Trump. Ajo është projektuar ekskluzivisht për Zonjën e Parë të SHBA nga stilisti i saj personal, francezo-amerikani Hervé Pierre.
Ankandi përfshin gjithashtu një pikturë me bojëra uji nga artisti francez Marc Antoine Coulomb, kapelja si dhe një vepër dixhitale NFT (Non Fungible Token) me të njëjtat bojëra uji. Ish zonja e parë, Melania Trump do të mbahet mend si rezistente ndaj të folurit publik, ajo bënte rrallë udhëtime, nuk bëri fushatë aktive dhe me raste shprehte pikëpamje ose ide të krahasuara me ato të bashkëshortit të saj, ish-presidentit Donald Trump.