Kreu i OBSh-së: Virusi do të jetë me ne për një kohë të gjatë
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se organizata që drejton e ka paralajmëruar me kohë botën për koronavirusin e ri.
“Ne e shpallëm urgjencën në kohën e duhur dhe kishte kohë të mjaftueshme për t’u përgjigjur. Mos bëni gabim, ne kemi një rrugë të gjatë. Ky virus do të jetë me ne për një kohë të gjatë”, ka thënë ai.
“Bota nuk do mund të kthehet si më parë. Duhet të pajtohemi me normalitetin e ri”, shtoi Tedros.
Ai tha se kishte tendenca shqetësuese në rritjen e epidemisë së hershme në pjesë të Afrikës dhe Amerikës Qendrore dhe Jugut.
“Shumica e vendeve janë ende në fazat e hershme të epidemisë dhe disa që u prekën herët në pandemi, kanë filluar të shohin një ulje të rasteve”.