Krerët e shtetit urojnë nxënësit
Liderët e shtetit kanë uruar nxënësit dhe mësimëdhënësit për ditën e parë të shkollës.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka theksuar se shteti i Kosovës ka investuar vazhdimisht në sistemin arsimor, për t’u ofruar fëmijëve kushte sa më cilësore.
“Kemi investuar në infrastrukturë, në objekte të reja shkollore dhe në pajisjen e tyre me teknologji moderne, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira, që nxënësit tanë të bëhen pjesë e konkurrencës në dije kudo në botë. Përmirësimi i cilësisë dhe investimi në dije nuk është asnjëherë i bollshëm, prandaj kërkohen edhe më shumë investime dhe angazhim për ngritjen e cilësisë dhe arritjen e rezultateve më të mira”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se si insitucione do të përkushtohen që cilësinë e arsimit në Kosovë ta përafrojnë me standardet e BE-së.
“Kjo është dita e parë e shkollës për ju. Bashkë me mijëra nxënës të tjerë dhe me prindërit tuaj, sot do ta keni një ditë të veçantë. Nga unë pranoni urimet më të mira për fillimin e vitit të ri shkollor!”, ka shkruar Haradinaj.
“Ne i kemi dhënë vetes prioritet, që cilësinë e arsimit në Kosovë ta përafrojmë me standardet e BE-së. Së bashku me mësimdhënësit tuaj do të punojmë që ky synim të bëhet realitet”, ka shtuar ai.
Ndërsa kreu i Kuvendit Kadri Veseli ka shkruar se nga sot rrugëve të Kosovës iu rikthye gjallëria e munguar prej dy muajsh.
Sipas Veselit, edukimi cilësor është rruga e vetme drejt përparimit si shtet dhe si shoqëri.
“Ata që e mbushin me gëzim jetën tonë, fëmijët e Kosovës kanë nisur vitin e ri shkollor. Të gjithë nxënësve, arsimtarëve, prindërve që sot kanë nisur fëmijët e tyre për në shkollë, ua uroj një vit të mbarë shkollor. Edukimi cilësor në të gjitha nivelet është rruga e vetme që na mundëson përparimin tonë si shtet dhe shoqëri”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në Facebook.
Edhe liderë të subjekteve politike kanë uruar nxënësit, mësimëdhënësit dhe prindërit për këtë ditë të veçantë të fillimvitit shkollor./FaktePlus/