Kravata me shqiponjë e Jakup Krasniqit, trazon Gjykatën Speciale
Një rast i paprecedent ka ndodhur në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Vazhdimisht është kritikuar fakti që pse në Gjykatë nuk ka ndonjë flamur të Kosovës, ndonjë simbol të shtetit që e ka themeluar këtë institucion.
Megjithatë, përgjigja më direkte që ka mundur të jepet në këtë rast, është një zhvillim që ndodhi ditën e djeshme.
Një kravatë kuq e zi e me shqiponjë të cilën e veshte Jakup Krasniqi në disa seanca, dje nuk iu lejua. Pra, Dhomat e Specializuara të Hagës që u krijuan për t’u marrë me “trafikimin e organeve” nga UÇK-ja, kanë mbetur duke hequr kravata të të akuzuarve.
Lajmin e bëri të ditur qysh në fillimin e seanës së djeshme avokatja e Jakup Krasniqit. “Dua një përgjigje sepse atë kollare Krasniqi e ka veshur edhe herave të tjera”, tha ajo.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, deklaroi se do të interesohet për këtë çështje. Megjithatë, asnjë përgjigje nuk u dha në seancë publike.
Duket se kravata e Krasniqit ka trazuar komplet punën e djeshme në Hagë.
Kjo pasi pas pauzës së drekës, seanca nuk vazhdoi siç ndodh rëndom.
“Ju njoftojmë se është shtyrë fillimi i seancës së pasdites së sotme në gjykimin Thaçi dhe të tjerët. Do t’ju informojmë për çdo përditësim sa më shpejt që të jetë e mundshme”, u tha në njoftim.
Seanca u bë e ditur se do të vazhdonte nga ora 16:30. Megjithatë, ishte krejtësisht e mbyllur, dhe zgjati shkurt. Pra, as nuk vazhdoi dëshmia e Bislim Zyrapit.
“Ju njoftojmë se seanca në gjykimin Thaçi dhe të tjerët këtë pasdite do të fillojë në orën 16:30 (ose në orën 17:15 transmetimi në internet). Ju njoftojmë se gjykimi kaloi në seancë private pas fillimit këtë pasdite dhe pak më vonë u mbyll për ditën e sotme. Procesi do të vazhdojë nesër, më 9 korrik në orën 09:00”, bëri të ditur Specialja.
Nacionalja që nga dita e djeshme është duke pritur përgjigje nga Dhomat e Specializuara lidhur me kravatën e Jakup Krasniqit.
Një reagim emocionues e ka bërë vajza e Krasniqit, Gresa.
“Mic Sokoli me gjoksin e tij kishte pritur gjylen e topit sepse dëshira per çlirim dhe liri ishte më e madhe se jeta prej zvarraniku. Mic Sokolët sot, me gjoksin e tyre presin padrejtësitë e këtij shekulli ndonese mbi supet e tyre rëndojnë plagët e pa sheruara të një populli të shtypur e te vuajtur! Mic Sokoleve sot, nga gjoksi mund t’ia zhveshni shqiponjën, por kurrë nga zemra!”, ka shkruar ajo.
“Tash, bacit Jakup, garant ia kanë sekuestruar edhe kravatën. Për këtë veprim, mund të ndërmarrin edhe masa disiplinore ndaj tij. Por, ironike është që atyre që ia hoqën kravatën sot, iu kanë dashur gati katër vjet ta dallojnë simbolin kombëtar, përkundër që është raportuar edhe në media për “kravatën kuqezi”. Të njëjtit, të cilët nuk e dallojnë dot as simbolin tonë kombëtar, po na gjykojnë në emër të popullit”.
“Në Rregulloren e Paraburgimit shkruan që veshja e të paraburgosurve nuk duhet të jetë poshtëruese ose turpëruese. Kush po poshtërohet prej simbolit kombëtar të shqiptarëve aty? Dëshmitarët e Prokurorisë së Serbisë, a? Ndërsa, te Kreu X – Mirëqenia Shpirtërore, ndër të tjera, thuhet se të paraburgosurit kanë të drejtë t’i ndjekin bindjet dhe rregullat e tyre morale gjatë kohës së paraburgimit. Me Udhëzimin e Njësisë së Paraburgimit për sendet dhe substancat e ndaluara në objektin e paraburgimit, në anën tjetër, ndalohen “simbolet e natyrës politike, ushtarake, kriminale ose diskriminuese në emblema, postera, medalje, stema, printime në tesha ose në gjësende të tjera”. Është mirë Gjykata Speciale të na tregojë qysh po e cilëson Flamurin Kombëtar? Simbol poshtërues/turpërues, politik, kriminal apo diskriminues?”, ka shkruar ai.
Reagime të mëdha ka pasur që nga dita e djeshme lidhur me këtë situatë.